Merkel: Të bëjmë më shumë për klimën për gjeneratat e ardhshme

Ne duhet të bëjmë më shumë për klimën për gjeneratat e ardhshme, theksoi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas një vendimi lidhur me çështjen e klimës në Gjermani.

Kancelarja kërkoi një politikë klimatike më ambicioze.

Reklame

“Gjykata Kushtetuese gjermane na tha se ju jo vetëm që mund të keni liri për brezat e tanishëm, por gjithashtu duhet të mendoni për liritë për gjeneratat e ardhshme”, nënvizoi Merkel gjatë një takimi me studentë holandezë.

“Kjo është një perspektivë e re ligjore, e cila mund të ketë shumë pasoja dhe që na nxit se duhet të bëjmë edhe më shumë”, nënvizoi ajo.

Më 29 prill Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendosi se ligjet e vendit për mbrojtjen e klimës nuk janë të mjaftueshme duke e detyruar qeverinë të rimendojë synimet e saj të emetimeve.

Gjyqtarët thanë se mangësitë e ligjit për klimën shkelnin të drejtat e paditësve – shumë prej të cilëve janë shumë të rinj.