Mesiq: Kombi maqedonas është fakt historik, nuk e ka krijuar as Tito as kominterna

Advertisment

Konsideroj se marrëdhënia mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në kohën derisa Maqedonia ishte në kuadër të Jugosllavisë, prej moti është çështje e absolvuar dhe se këtu nuk guxon të ketë kurrfarë problemesh. Dhe të gjithë ata që tani e ngrenë çështjen e tillë siç duket mund vetëm t’u pengojnë në marrëdhënie mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por edhe zgjidhjes paqësore të problemeve në tërë rajonin, shprehet ish-presidenti kroat Stipe Mesiq në intervistën për MKD.mk.

Ai thekson se vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut nuk është në përputhje me vlerat evropiane, e as në interesin evropian.

Reklame

“Këtu edhe qëndron puna, meqë nëse përfundimisht është zgjidhur çështja për marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë, e me këtë edhe e Maqedonisë dhe Bullgarisë, mendoj se tani nuk është as në interesin evropian, as në interes të rajonit, e në fund as në interes të Maqedonisë, as të Bullgarisë, të parashtrohen çështjet që tashmë janë zgjidhur, që janë zgjidhur përfundimisht, që janë të absolvuara”, shprehet Mesiqi.

Në pyetjen se çfarë fiton Bullgaria me hapat e këtillë, Mesiqi shprehet se ato janë më shumë pasojë e çështjeve të brendshme bullgare.

“Kanë shumë gjëra që nuk janë zgjidhur, por më e thjeshtë është që të ngrihet kjo çështje që duhet ta okupojë opinionin vendor, kështu që të harrohet ajo që duhet të zgjidhet në vendin personal”, shton ish-presidenti kroat.

Mesiqi thekson se kombi maqedonas është komb i veçantë, si edhe gjuha maqedonase dhe se nuk qëndrojnë pohimet se janë krijuar nga Kominterna.

“Kurrfarë Kominterne nuk ka krijuar as gjuhë bullgare, as atë maqedonase. Meqë edhe njëra edhe gjuha tjetër janë gjuhë që i flasin popuj të veçantë, populli bullgar – bullgarisht, populli maqedonas – maqedonisht. E ngjashmëri ka. Ka edhe mes serbishtes dhe kroatishtes, kështu që serbët e quajnë serbishte, kroatët – kroatishte, boshnjakët – boshnjake, malazezët – malazeze. Nuk shikoj asnjë arsye që tani të parashtrohet çështja e kombit maqedonas dhe identitetit maqedonas. Kombi maqedonas ekziston, ky është një fakt historik dhe secili që problematizon këtu diçka, në fakt u bën dëm marrëdhënieve në gjithë Evropën”, thekson Mesiqi.

Ai shton se të gjithë në rajon kanë shumë histori të përbashkët, por kjo nuk do të thotë se tani duhet të ngrihen disa çështje që tashmë nuk ekzistojnë.

“Kjo është çështje e identitetit të kombit maqedonas, popullit maqedonas, shtetit maqedonas dhe në këtë kuptim askush nuk ka të drejtë të përzihet dhe të kërkojë fakte historike që mund t’i prishin marrëdhëniet e tanishme mes shteteve, që duhet doemos të jenë normale”, shton Mesiqi.

Lidhur me pohimet se Titoja e ka krijuar kombin maqedonas, Mesiqi përgjigjet se Titoja nuk ka krijuar askënd, por vetëm i ka konstatuar faktet.

“Nëse është ashtu, atëherë do të thoshte se Titoja i ka krijuar edhe serbët dhe kroatët dhe sllovenët. Ne ishim në një bashkësi shtetërore, Mbretëria e Jugosllavisë, në të cilën nuk ishin zgjidhur çështjet kombëtare. Çështjet kombëtare te ne janë zgjidhur në Luftën Nacional Çlirimtare, të cilën e drejtonte Mareshali Tito. Por, secili popull e fitoi të drejtën e tij që të ketë gjuhën e tij dhe të ketë territorin dhe identitetin e tij”, shprehet Mesiqi.

Lidhur me kërkesat që të fshihet fraza “okupator fashist bullgar”, por edhe pohimin se ushtritë bullgare kanë qenë çlirimtarë në Maqedoni në Luftën e Dytë Botërore, Mesiqi me qëndrimin se nëse flitet për histori, atëherë duhet respektuar të gjitha faktet.

“Bullgaria ishte në anën e forcave të Boshtit dhe në fund kaloi në anën e aleatëve, ndërsa populli maqedonas bashkë me pjesëtarët e popujve të tjerë të Maqedonisë e fituan të drejtën e tyre për republikë dhe në fund të drejtën për shtet të tyre”, shton ai.

I pyetur për këshillë, duke marrë parasysh se Kroacia kishte përvojë me bllokadën sllovene para hyrjes në BE, Mesiqi shprehet se nuk është mirë që të ngrihen disa çështje margjinale që kanë reflektime substanciale.

“Nuk është mirë që me çështje të tilla të ashpërsohen marrëdhënie mes popujve dhe shteteve të tëra. Veçanërisht kur fati ynë, si edhe i popujve të tjerë në Evropë, është që t’i bashkëngjitemi Bashkimit Evropian. Unë gjithmonë kam qenë për atë që aderimi të përshpejtohet sa më shumë, Evropa të jetë një lojtar i madh në botë, në mesin e lojtarëve të mëdhenj, por vetëm si e bashkuar. Prandaj duhet vetë, të shtyhet bashkimi. Dhe kur Evropa do të jetë e bashkuar, atëherë do të jetë lojtar i madh në raport me Rusinë, Kinën, Indinë, SHBA-në. Kur do të bashkohet deri në fund, humbet motivi për luftë, meqë të gjitha luftërat në Evropë kanë qenë për atë se gjoja agresori i mbron minoritetet e tij kombëtare në një vend tjetër, e në fakt ka okupuar territore të huaja. Hitleri ka pohuar se i mbron gjermanët e rrjedhës së Danubit, se i mbron gjermanët sudetë, e në fakt ka okupuar territore të huaja. Çfarë bënte Sllobodan Millosheviqi? Të njëjtën. Pohonte se i mbron serbët në vende të tjera, ndërsa gjithçka përfundoi me katastrofë”, shton Mesiqi.

Ai thekson se nevojitet bashkim i Evropës, çelje të kufijve, shqyrtim të vlerave të përbashkëta evropiane.

“Do të arrihet marrëveshje në interesin e të gjithëve, por ajo që është më e rëndësishme, asnjë popull nuk do të ndalet në zhvillimin e tij, por i tërë korpusi i një populli do të zhvillohet më lehtë meqë nuk i pengojnë kufijtë. Do t’i jetë e njëjtë një serbi ose francezi nëse është nga njëra apo ana tjetër e kufirit. Po një shqiptar, maqedonas, krejtësisht e njëjtë në cilën anë të kufirit gjendet, meqë rregullorja ligjore do të jetë e krijuar në favor të të gjithëve. Në këtë mënyrë përjashtohet lufta si mjet politik. Unë për këtë disa herë kam biseduar me shkrimtarin tuaj Kole Çashule. Ai e kishte të qartë si kristali dhe insistonte në atë që të përshpejtohet hyrja në BE pikërisht për këtë arsye, që të hapen kufijtë dhe popujt të bashkëpunojnë në vend se të përleshen. Dhe tani, në vend se të flitet për infrastrukturë, ndërlidhje, flitet për histori. Ndërsa historia nuk mund të ndryshohet, ajo që është krijuar, është krijuar”, shton Mesiqi.