Mësohen emrat e ministrave të LDK së

Advertisment

Janë mësuar emrat që Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i propozojë për postet ministrore në Qeverinë Kurti, e cila pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.

LDK-ja, nga 15 ministritë që pritet të jenë në këtë qeveri, do të ketë gjashtë. Nga emrat e propozuar nga kjo parti, pesë nga ta janë deputetë, ndërsa një është kryetar i një komune.

Reklame

Deputeti Avdullah Hoti është propozuar për zëvendëskryeministër. Deputeti tjetër Lumir Abdixhiku është propozuar për ministër të Infrastrukturës. Deputeti Besian Mustafa do të jetë ministër i Bujqësisë. Hykmete Bajrami nga pozita e deputetes do të bëhet ministre e Arsimit, ndërsa Vlora Dumoshi për ministre të Kulturës, Rinisë e Sportit. Anton Quni do të udhëheqë me ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, që u përfol gjatë si zëri kundërshtues brenda LDK-së për bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen, është propozuar për ministër të Punëve të Brendshme. Kjo nënkupton se Veliu do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të komunës së Podujevës duke çuar këtë komunë në zgjedhje.

Kryeparlamentare do të jetë Vjosa Osmani e cila zëvendëson Glauk Konjufcën e VV-së që pritet të marrë post në qeveri.

Ende nuk dihet cilët do të jenë ministrat nga radhët e Vetëvendosjes. Më 6 janar, Kurti kishte propozuar Albulena Haxhiun ministre të Drejtësisë, Blerim Rekën për ministër të Punëve të Jashtme, Besnik Bislimin për ministër të Financave, Rozeta Hajdarin për ministre të Ekonomisë dhe Arben Vitinë për ministër të Shëndetësisë. Zëvendëskryeministër nga VV-ja ishte propozuar Haki Abazi.