Mickoski: Më përqafuan shqiptarët dhe turqit në Gostivar(VIDEO)

42

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pas takimit të liderëve deklaroi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 12 prill të 2020-s, pret mbështetjen jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga shqiptarët dhe turqit, sepse siç deklaroi ai, sot në Gostivar ka marrë një premtim të tillë, transmeton Portalb.mk.

“Sot isha në Gostivar, ku shumica e qytetarëve janë shqiptarë. Kisha mundësi të bisedoj me një numër të madh të shqiptarëve dhe turqve. U ngritën nga lokalet ku ishin të ulur dhe më përshëndetën. Disa më përqafuan dhe më thanë se do të më japin përkrahje mua dhe VMRO-DPMNE-së, sepse janë të dëshpëruar nga tërë kjo që në të kaluarën e kanë përjetuar nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare”, tha Mickoski.

Sa i takon datës së zgjedhjeve, ai u shpreh i kënaqur, ndërkaq për përbërjen e mundshme të Qeverisë teknike, e cila duhet të formohet, tha se nuk është diskutuar për emra konkret.

“Nuk ka pasur diskutim të tillë. Për ne më rëndësi ishte të merrej termini për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Çështjet personale, gjegjësisht emrat e njerëzve do të diskutohen në mënyrë shtesë”, tha Mickoski.

Megjithatë, në takim është vendosur që Qeveria teknike të formohet më 3 janar të 2020-s, ndërkaq VMRO-ja do të ketë ministrin e Punëve të Brendshme, ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, dhe zëvendësministra të Financës, të Administratës dhe të Bujqësisë.

Sipas Mickoskit, procesi i regjistrimit të popullsisë duhet të mbahet në vitin 2021.