Milioneri zviceran ka ndërtuar shtëpinë si xhami para 130 viteve në Nojshatel

Advertisment

Lirim Begzati, 23 korrik 2020

As industrialistit të shquar zviceran Philippe Suchard nuk do t’i pengonte ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë!

Reklame

Në vitin 1868, industrialisti i famshëm zviceran Philippe Suchard, shtëpisë së tij të ndërtuar në Neuchâtel (Zvicër), i’a veshi petkun e një arkitekture të një Xhamie, bile edhe me një minare të ngritur mbi kulimin e saj, të zbukuruar me dizajnin gati se më të përkryer të atyre kohërave.

Jo vetëm se kjo shprehte një akt kënaqësie personale për Ph. Suchard, por kjo nuk iu pengoi aspak të tjerëve, as autoriteteve të vendit, por as edhe bashkëvendësve të tij, të cilët treguan një admirim ndaj veprës së tij. Nga disa, ajo u pagëzua me emrin “Shtëpia-Xhami”.

Ndër komentimet që e sqarojnë aktin e tij, e hasim edhe sqarimin se përveç se atë e pasiononin udhëtimet, Ph. Suchard tregonte një kureshtje të madhe ndaj vlerave kulturore dhe fetare, përfshirë këtu edhe simbolikat e shumta të objekteve fetare.

Ph. Suchard, nuk ishte pra as një mysliman i Arabisë, as i Kosovës ose Maqedonisë së Veriut. Ai ishte thjeshtë një njeri që i takonte regjistrit të vlerave, të tolerancës, gjithmonë i përkushtuar ndaj humanizmit dhe të diversitetit shoqëror.

Kështu që, kjo dëshmohet edhe me faktin se atij, jo vetëm se nuk i pengonte aspak, por përkundrazi, kishte një kënaqësi që të jetonte në hapësirën e një shtëpie që nuk përngjante në kurrgjë tjetër përveç se në një objekt fetar islam, siç është Xhamia.

Kjo simbolik paraqet një domethënie madhore, për shumë arsye, përfshirë këtu edhe faktin se kjo ndërtesë shtrihet vetëm disa qindra metra larg nga vendbanimi imë. Një kënaqësi kur kalojë përskaj saj; ajo më rikujton njëfarë burim frymëzimi për kultivimin e vlerave të diversitetit dhe të bashkëjetesës, të cilat sot, fatkeqësisht nuk janë në shijen e gjithkujt!

Nëse i futemi njëfarë paralelizmi dhe krahasimi “historik”, vështirë me e fshehur befasinë ndaj disa reagimeve pas fillimit të ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Duket se kjo shkaktoi sadopak zhurmë në disa qarqe, në mënyrë të pakuptueshme, e gati se për asgjë!

Nuk duhet ti kërkojmë problemet atje ku nuk ekzistojnë, nuk duhet ti gjurmojmë faktorët problematik fetarë në adresën e gabuar!

Tjetër është ajo se disa dinamika dhe tendenca të sotme nuk përcjellin aspak vijën e vlerave të mirëfillta fetare. Kurse tjetër është ajo se çfarë pune duhet bërë për parandalimin dhe luftimin e shfaqjeve fetare të cilat nuk janë aspak në përputhje me kërkesat a kohës.

Këtu qëndron problemi, e assesi në ndërtimin (apo jo) të një objekti fetar. Ndërtimi i një Xhamie nuk duhet t’i pengojë askujt, ashtu siç nuk do të duhej t’i pengojë edhe ndërtimi i objekteve që simbolizojnë besimet tjera fetare.

Përveç kësaj, nuk ka nevojë as me pasur komplekset e panevojshme, as me shpalosur amalgame në mes të asaj që bëhet te na dhe asaj që ndodhë diku tjetër, në Turqi apo edhe gjetiu.

Kërkohet thjeshtë një përkushtim më i madh në dobi të promovimit të vlerave të vërteta fetare, një luftim permanent dhe i pakompromis kundër rrymave fundamentaliste, pa marrë parasysh kujt besimi fetar i takojnë ato.

Po, është e vërtet edhe ajo se kërkohet një punë për njëfarë ri-definim më të mençur të disa rregullave fetare, një qasje konformë nevojave reale aktuale dhe perspektivave të vendeve tona.

Pse jo edhe një përkujdesje më serioze ndaj interpretimit të teksteve apo librave të shenjtë fetar, në përputhjet me realitetet e sotme objektive ku jetojmë, e jo duke u mbështetur në vizionet konservatore të së kaluarës, jo sipas modeleve të shëmtuara të vendeve apo personave të cilët iu shkaktojnë një dëm të madh parimeve të vyeshme që e karakterizojnë dhe e ndërtojnë themelin e një feje të caktuar. Huazuar nga Pro Integra