Ministri Filipçe flet për hapjen e kufijve, ja kur pritet të hapen në Maqedoni

Advertisment

Përderisa shumica e vendeve të rajonit kanë hapur kufijtë që nga fillimi i muajit qershor, Maqedonia e Veriut akoma nuk ka një plan konkret se kur mund të sjell një vendim të tillë.

I pyetur sot nga Portalb.mk. nëse ka informatë se kur do të hapen kufijtë, cili është rekomandimi dhe kur duhet të hapen ato, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk dha detaje konkrete, por tha se për këtë do të flitet deri në fund të javës në Komisionin për Sëmundje Infektiive.

Reklame

“Qeveria miratoi vendim për transit të udhëtarëve të cilët nuk do të qëndrojnë në vend më shumë se 5 orë. Në këtë drejtim, do të hapim edhe vendkalime të tjera kufitare të cilat tani janë të mbyllura. Deri në fund të javës do të diskutojmë edhe për hapjen e kufijve. Megjithatë, do ta ndjekim situatën, do të diskutojmë në suaza të komisionit dhe do ta informojmë opinionin”, deklaroi Filipçe.

Ndërkohë, në lidhje me valën e dytë të koronavirusit, ku vendi me ditë të tëra po regjistron qindra raste në ditë, Filipçe tha se sipas analizave të epidemiologëve, pritet që këto numra të shënojnë rënie.

“Analizat bëhen në bazë të shifrave të përditshme dhe në bazë të analizave dy javore. Momentalisht është faktori i transmetimit është mbi 1,2. Sot kemi numër pak më të vogël. Parashikimi i epidemiologëve në raport me të dhënat dhe në lidhje me gjurmimin e kontakteve nga anketat që janë dhënë periudhën e kaluar, këtu para së gjithash mendoj për vatrat, janë se do të ulen. Megjithatë, sot jemi dëshmitarë se, njerëzit japin kontakte se kemi raste në vende ku ka numër më të vogël të të diagnostifikuarve si Resnja, por gjithçka ka të bëjë me respektimin e masave. Ne duhet të mësojmë se duhet të jetojmë me mbajtjen e maskave dhe me mbajtjen e distancës. Tani vjen periudhë kur një numër i madh i pacientëve gradualisht do të lëshohen nga spitali. Por, nuk është esenca që ne të kemi vazhdimisht rritje të rasteve, por të respektohen masat”.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë sot informoi se, në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 103 raste të reja me virusin korona, kanë ndërruar jetë 5 persona, ndërkaq 13 pacientë janë shëruar. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 4.157, i të shëruarve në 1.723, të vdekurve 193, ndërkaq momentalisht kemi 2.241 raste aktive.