Mjekimi onlajn për ti ik përhapjes së virusit në Maqedoni

Advertisment

Situata me pandeminë Covid-19 po përkeqësohet. Numri i vdekjeve dhe të infektuarve po rritet nga dita në ditë. Për tu ballafaquar me këtë “breshër” numrash, Ministria e Shëndetësisë ka vendos të aplikojë disa metoda të sistemeve të reja, ndër to është edhe mundësia e kontrolleve mjekësore onlajn.

Bazuar në këtë vendim të Ministrisë, mjekët amë kanë të drejtë dhe të lejuar që të përdorin metodën e telekomunikimit me pacientët e tyre, përfshirë gjendjet shëndetësore stabile të tyre duke i anashkaluar rastet e rënda.

Reklame

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, informon se ky sistem i ri mundëson thjeshtëzimin e kontrolleve mjekësore, por edhe shmang përhapjen e virusit në hapësirat klinike. “Faktikisht gjatë kësaj periudhe është lejuar edhe përdorimi ose ta quajmë një llojë i telemedicinës që pacientët të cilët kanë nevoja për kontrolle apo konsultime me mjekun të i mundesohet thjeshtëzimi.

Pandemia ka bërë që të gjejmë metoda të ndryshme por si ministri ne ua kemi lejuar një formë të tillë por gjegjësisht është mirë të pyesni edhe mjekët amë pasiqë ata e kanë detyrë të përditëshme, dhe janë më në kontakt me pacientët e tyre sidomos në aplikimin e këtij sistemi”, deklaroi për KOHA, Hasani.

Mjeku familjar, Gajur Xhaferi, thotë se rastet e personave që janë të prekur me Covid-19 e kanë të detyrueshme konsultin onlajn me mjekun amë. Ai thotë rastet e shumta janë asimptomatik dhe duhet pasur shumë kujdes.

“Zakonisht bisedojmë me pacientët pothuajse çdo ditë, në konsultat tona për nevojat e tyre shëndetësor. Paraprakisht konsultimet mjekësore onlajn bëhen me pacientët të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 dhe zakonisht konsultohemi për trajtimin dhe përdorimin e ilaçeve apo trajtimeve të mjekimit rehabilitues.

Ndodh që pacientët të kenë në të shumtën e rasteve rezultim aspimtomatik, natyrisht që edhe ata duhet të konsultohen unanimisht onlajn me mjekun amë ose specialistin për shkak të karantinimit apo vetëizolimit obligativ të tyre.

Ndonjëherë ndodhin shpekulime rreth mjekëve dhe paragjykime të shpeshta për këtë situatë emergjente të shëndetësisë por duhet të dimë faktin që prej pacientëve hasim edhe karaktere të ndryshëm të tyre. Ndodh që të kemi pacientë të cilët janë fobik ndaj pandemisë dhe kanë frikë të kontrollohen tek mjeku me prani fizike dhe si aspekt i asaj ata persona shfrytëzojnë mundësinë e telekomunikimit nga distanca por të jemi të qartë pasi ka dallim nga e rëndomta e konsultit dhe kontrollimit të drejtpërdrejtë në klinikë me mjekun, sepse nuk është formë e njejtë.

Madje ndryshe është kur hasesh direkt në bisedë me pacientin e sidomos për rekomandimin e barnave apo antibiotikëve të cilat kanë efektet e ndryshme në organizmin e njeriut”, informon Gajuri.

Ngjashëm mendon edhe Besfort Emrullai, mjek i përgjithshëm. Ai thotë se rastet e rënda shëndetësore e kanë të obliguar të bëjnë trajtime me prani fizike.
“Kontrollet mjekësore onlajn bëhen direkt me mjekun amë nëpërmjet celularit ose e-mailit, që pacienti mund të pyes mjekun për ndonjë këshillë ose shënim të recepteve të ndryshme ose çfarë do llojë tjetër të ndihmës paraprake.

Sa i përket kontrolleve për sëmunjdet kronike ose atyre të rënda siç është tani edhe periudha me pandeminë, nuk bëhen onlajn sepse ato kërkojnë ekzaminime më të detajuara fizikisht me pacientin.

Për mendimin tim ky sistem që pacienti të kontrollohet nëpërmjet rrjeteve sociale apo celularëve nuk më duket edhe aq në rregull për shkak se mjekësia nuk preferon sistem të atillë , natyrisht që pacientët duhet të kontrollohen fizikisht që është mëse normale për vendime të sakta si për stafin mjekësor ashtu edhe për vetë pacientët. Ky sistem është i lehtësuar nga aspekti i dhënjeve të recepteve barnatore poashtu edhe për analizat e pacientit”, thekson Emrullai. (koha.mk)