Mjeku shqiptar nga Milano: Më të prekur janë gjinia mashkullore dhe mosha e tretë

Në një lidhje direkte për emisionin “Shqipëria Live” ishin mjeku dhe gazetari Flamur Topi si dhe mjeku Albert Troci nga spitali “Luigi Sacco”, në Milano, për të folur rreth situatës alarmante në Itali, ku numri i viktimave ka shkuar mbi 2.000.

Mjeku dhe gazetari, Flamur Topi në njërën anë të ekranit i drejton pyetje Trocit, për të mësuar se çfarë mendon shkenca italiane për numrin e lartë me të prekur dhe viktima në Itali, e ndërsa në anën tjetër të ekranit mjeku i përgjigjet:

Reklame
HTML Image as link Reklamë:
Qries

“Edhe kjo po studiohet. E para: politika e tamponimit të pacientëve është vetëm për pacientët që janë sjellë në spital. Mendohet se numri është akoma më i lartë se ai që ne raportojmë çdo ditë. E dyta: shpjegohet edhe për moshën mesatare që ka Italia. Pacientët që kanë moshë mbi 80 vjeç kanë pasur goditjen më të madhe”, shpjegon Troci.

“Arma e bukur që kemi është karantinimi. Është mbrojtje për veten dhe për të tjerët”, shton më tej mjeku. I pyetur nëse ka pasur sukses karantina 3 javore, ai shpjegon:

“Ka funksionuar sidomos në qytezat e vogla në Itali, ka arritur të izolojë valën dhe ka parandaluar përhapjen”.

Në një raport i cili ka dalë së fundmi thuhet se 25% janë femra dhe 75% janë meshkuj, doktori ka një përgjigje:

“Kjo gjë është e vërtetë. Raporti është 1 me 3. Janë meshkujt që paguajnë çmimin më të lartë. Më të prekur janë gjinia mashkullore dhe mosha e tretë. Kjo nuk do të thotë që nuk preken persona të grupmoshave të tjera”.