Mjeshtër i patateve të skuqura, shqiptari bëhet i famshëm në Belgjikë

Kush nuk ka shkuar në Bruksel dhe nuk është ndalur një herë në “Pitta de la chapelle”. Bëhet fjalë për kioskën e famshme të hapur nga një kuzhinier shqiptar, suksesi i të cilit ka shkuar deri te “Deutsche Welle”.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Kemail Vuciterna ka treguar gjithçka, nga nisja e karrierës deri te ndikimi i periudhës së pandemisë në biznes.

“Ne përdorim dhjamin e lopëve, që rafinohet dhe e vendosim për skuqjen e patateve. Është si krem dhe kushton shtrenjtë. Ne e ndërrojmë çdo ditë kur skuqim. Këtu te ne vijnë prej Belgjikës, bëjnë 50 km vetëm për patatet tona.

Bashkë me mua punon edhe bashkëshortja me djalin, e kemi biznes familjar. Unë këtu punoj shumë, 12 orë në ditë. Edhe kur vij në Kosovë, dua të më gatuajnë një herë.

Unë kioskën e kam në qendër të Brukselit. Kam ardh në ’84 dhe kam nis të punoj në kuzhina të ndryshme. E kam nisur karrierën në një kuzhinë që njihet si yje dhe kështu kam debutuar.

Në pandeminë e parë e mbyllën, ndërsa në pandeminë e dytë e hapëm por me masa. Momentalisht na ka ec puna, rreth 75%. Dalëngadalë do të rikthemi në normalitet, u shpreh Kemail./abcnews.al