Molliqaj: Kurti po e bën kurban Konjufcën vetëm të arrijë në pushtet

Advertisment

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, marrëveshjen për bashkë qeverisje mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike e ka quajtur “Ujdi monarkësh”.

Ia ka kujtuar një letër që Kurti ia ka dërguar Mustafës 10 ditë më parë, e ku Kurti i thoshte Mustafës se “Nuk mundemi tash t’i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkësh”.

Reklame

“Zgjedhja e z.Konjufca ishte legale dhe legjitime”, i kishte shkruar në letër Kurti Mustafës, në datën 16 janar 2020.

Molliqaj, tutje në shkrimin e tij në Facebook thotë se Kurti vetëm që të vijë në pushtet, po e bën kurban Glauk Konjufcën.

 

“Kurti, në letrën dërguar Mustafës 10 ditë më parë, e quajti “ujdi monarkësh” e “ogur fatkeq” largimin e Konjufcës nga Kryetari i Kuvendit. Pikërisht këto fjalë sot, sipas raportimeve në media, i gëlltiti Kurti teksa arrinë marrëveshje me Mustafën.
Ai po sillet si monark, me fjalë të veta, po delegjitimon institucionet demokratike me ujdinë e tij monarkiste dhe po bën kurban Konjufcën me të vetmin qëllim që të vij në pushtet. Popullistët që vijnë në qeveri kanë një të përbashkët me elitat politike që i kritikojnë për korrupsion dhe marrëveshje të dëmshme.
Në fund, ata arrijnë marrëveshje të njëjta si paraardhësit e tyre e gjithmonë arsyetohen me qëllimin e tyre dashamirë. Popullistët duke thënë për të mirën e popullit e elitat politike për të mirën e shtetit”, shkruan Molliqaj, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se Grupi Koha sot raportoi nga burime në të dy kampet, VV LDK, se Konjufca do të tërhiqet nga posti i kryeparlamentarit derisa këtë vend, pritet ta zë me shumë gjasë Vjosa Osmani.

Tutje, Molliqaj, kryetar i PSDsë, thotë se Kurti po i ndryshon fjalët e premtimet që i ka dhënë.

“Popullistët si Kurti me elitat politike si paraardhësit e tij në pushtet nuk kanë dallim në qëllimet e tyre. Këta, teksa i ndryshojnë fjalët për më pak se 10 ditë, nuk sjellin ndryshim por vetëm stagnim”, përfundon Molliqaj.

Kujtojmë gjithashtu se nesër, e diele, pritet që VVja e LDKja, t’i mbledhin organet e veta drejtuese dhe më pas të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkë qeverisje.