Mos ia prekni Minishengenin!

Advertisment

Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, ka një problem të madh me pranimin e pozicionit të tij në raport me politikën ndërkombëtare. Ai mendon se “fati gjeopolitik” i ka bërë një padrejtësi duke e caktuar një “vend të vogël” në një cep të parëndësishëm të Evropës.

Sa herë që ka samite ndërkombëtare ai arrin të marrë vëmendjen e elitës evropiane të politikës herë përmes aftësisë së tij të mirënjohur prej zhongleri të fjalës apo sensit të lindur të batutës dhe herë me shijet e rafinuara e të guximshme në të veshur dhe shtatit të lartë. Politikanët evropianë e pëlqejnë liderin karizmatik të vendit të vogël e mjaft problematik të jugut të Ballkanit.

Reklame

Do të donte të rrinte pafund atje, në Paris, Berlin, New York apo Londër, vende të destinuara për gjeninë e tij politike por realiteti është shumë më prozaik. Në vend të kësaj i duhet të kthehet në Tiranë e të rrijë me Taulantin, Erjonin, Çuçin apo Tigrin. Duhen përpjekje titanike për të mbushur hendekun mes dy gjendjeve. Batoni, duke nuhatur dëshpërimin ia ngacmon ambicien me ide përtej Shqipërisë: “Është momenti për të dalë nga “strofulla” e Shqipërisë, shija jote dhe “magjia e fjalës tënde” meritojnë një dimension më të madh”.

Për ta bërë këtë, nuk ka rast më të mirë se konflikti shqiptaro-serb. Kjo nyje gordiane, ky ngërthim interesash amerikano-ruse, do ishte një rast fatlum për ambicien e Kryeministrit. Duhej futur në valle edhe Presidenti i Kosovës që për fat ka hallet e veta dhe kjo zgjidhje i vjen mjaft për shtat. Atij i ka mbetë peng diçka Presheva e Bujanoci, një ambicie e kahmotshme, një plagë e vjetër dhe nuk do t’ia lërë Serbisë për qamet…

Gjithçka ishte mirë e bukur, darkat informale me përfaqësues shqiptarë dhe serbë vazhdojnë deri sa një ditë, papritur e papandehur, del në skenë ish Kryeministri i Kosovës. I përjashtuar nga drekat e përbashkëta dhe në një rol të parëndësishëm në projekt ai ngre krye. Jo vetëm kaq por i mërzit darkëtarët e rëndësishëm duke i vënë një gjobë të fortë, taksën 100%, partnerit kryesor të darkës dhe njëkohësisht armikut shekullor të kosovarëve, Serbisë.

Ishte ky momenti i kthesës. Plani A nuk funksionoi megjithëse kishte shkuar shumë përpara. Duhej gjetur një plan B.

Këtu lindi Minishengeni. Një aleancë e të përjashtuarve nga Shengeni i madh evropian, një zgjidhje alternative. Ishte një lloj konkretizimi i kërcënimeve të herëpashershme të Ramës ndaj Evropës kur thoshte “Shqipëria nuk do të qëndrojë në derën e Evropës dhe të qajë që ajo të hapet”. Pak dihet sesi erdhi deri te ideja por Vuçiç, Zaev dhe Gjukanoviç (ky me rezerva) pranuan të ishin në Ohër e Tiranë për të marrë pjesë në diskutime. Më shumë sesa mungesa e palës së Kosovës, ra në sy, sidomos në Tiranë, një kritikë e pakursyer ndaj tyre e Kryeministrit Rama. Aq e tepruar ishte kjo shprehje e mllefit të tij saqë e detyroi presidentin serb ta ngushëllonte me fjalët “nuk e kuptoj pse u jep kaq rëndësi atyre që nuk marrin pjesë”. Këtë radhë nuk ishte vetëm Haradinaj plangprishësi (këtij ia “rregulloi qejfin” me një padi mu në Prishtinë) por edhe Kurti, edhe Thaçi, edhe Mustafa. Nga Kosova duket sikur kishte pro vetëm Batonin që vazhdonte të mahnitej nga gojëtaria dhe shija kryeministrore. Ai ishte i bindur se Rama është peng i keqkuptimeve madhore dhe është përfaqësuesi më dinjitoz i shqiptarisë në kancelaritë evropiane. Qëndrimet e Ramës- në pikëpamjen e Batonit- do të mbeten në analet e historisë paçka se të parakohshme për një vend të vogël si Shqipëria.

Ky ishte konteksti kur Kryeministri Kurti mbërriti në Shqipëri. I mpakur dhe i tjetërsuar, i mbuluar me djersë dhe emocione doli në konferencën e akullt të përbashkët me ustain e pamëshirshëm. Përveç të tjerave, Albinit sapo ia kishte futur dy këmbët në një këpucë i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump, Richard Grenell. “Taksa 100% duhet të hiqet pa reciprocitet”. Një fjali e ftohtë dhe e rëndë sa një mal në shpinën e brishtë të Kryeministrit më të brishtë e më jetëshkurtër të Evropës. As një javë nuk kishte bërë në detyrë.

Me këtë ngarkesë të tmerrshme erdhi Albin Kurti në Tiranë për të ulur sadopak presionin nga takimi me vëllain. Por ustai nuk njeh mëshirë. Ai tregonte padurim kur dëgjonte Kurtin të përmendte Prekazin, Mitrovicën apo Jasharajt. Këto janë patetizma emocionalë, janë e shkuara që pengon të ardhmen, janë retorikë e prapambetur, e papajtueshme me konceptet moderne.

Albini po mundohej t’i ikte debatit por nuk ishte e thënë. Gazetari i njohur për afërsinë me Ramën, Muhameti, hap debatin “A do merrni pjesë në takimin e ardhshëm të Shengenit Ballkanik?

Në këtë moment Albini hapi një temë që nuk i konvenon shumë Ramës. Ai tha ekzaktësisht “Kjo ishte një temë që ne e trajtuam por shkurtimisht meqenëse takimi ynë sot ishte më parë për Makroshengenin shqiptar sesa për Minishengenin Ballkanik”.

E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Kryeministrit Rama: “Unë besoj se nuk ka Makroshengen Shqiptar pa Minishengen Ballkanik”. Pastaj ai theksoi mosdakortësinë e tij me konceptin “mini” duke e lidhur me shtatlartësinë e tij duke thënë që “unë nuk merrem me gjëra mini”.

Këto dy përgjigje ndaj pyetjes “së pavarur” të Metit treguan më shumë se gjithçka arsyen e akullnajës Kryeministrore. Kurti dhe Rama sapo kanë filluar një luftë nervash. Rama e trajtoi Kurtin pothuaj me të njëjtën vrazhdësi siç mund të trajtonte Veliajn, Ballën apo Çuçin. Pa mëshirë, pa elegancë dhe pa respekt ndaj mikut. Kurti po bënte çmos t’i shmangej debatit, Rama bëri çmos ta bënte publik atë.

Albin Kurti do jetë larguar me shije të hidhur sonte. Pas Grenellit me ultimatumin pa ekuivok për taksën vjen edhe keqtrajtimi publik i vëllait të madh.

Java u mbyll e vështirë për Kurtin. Ndoshta pjesa më e keqe e saj ishte ora e fundit, ajo në Tiranë.