Mos u mërzit për Profetin!

Advertisment

Jo Profetin Muhamed, por cilindo njeri në botë e ofendon nëse e vizaton cullak, aq më tepër dikë që as nuk e ke parë cullak, as nuk e ke idenë se si duket cullak e as se si është dukur i veshur me tesha.

Sepse, krejt bukuria dhe simbolika e figurës së Profetit Muhamed është te misterioziteti i pamjes së tij fizike.
Je i bukur, më i bukuri në botë kur askush nuk e di si dukesh!
Është bukuri e ‘frikshme’, që të bën ta respektosh, është një bukuri që nuk të jep mundësi ta komentosh.

Reklame

Dikë që nuk e ke parë, nuk mund ta komentosh, as ta lavdërosh e as ta përqeshësh!

Po pra, këdo që e vizaton cullak me prapanicë përpjetë është ofendim, është fyerje.
Por, ofendimi dhe fyerja në këtë rast nuk kryejnë punë.

Në prapanicën e karikaturës në fjalë është vendosur një yll i verdhë, si ai ylli që ua vënin hebrenjëve, si shenjë dalluese, për t’i çuar drejt vdekjes.

Porosia e karikaturës thotë ‘Është zbuluar një Yll’.
Dhe ky është dështimi i parë i autorit.

‘Ylli’ nuk mund të zbulohet për së vdekuri, prandaj karikaturën nuk duhet ta merrni seriozisht, sepse autori nuk ia ka arritur qëllimit, fjalën e ka për një Muhamed që u zbulua sot, sepse Profetin Muhamed është shumë vonë për ta zbuluar.

Për ta kuptuar vogëlsinë e një krijuesi, shikoje me çfarë tema merret. Sa më i vogël dhe i dështuar ‘autori’, aq më shumë merret me tema të mëdha.

Vet qëllimi i karikaturës në përgjithësi është fyes, duhet ta kuptoni, sepse vetëm për fyerje dhe përqeshje ekziston karikatura.

Karikaturë të ‘ndershme’ e sikushi, nuk ka.
Karikatura ka për qëllim të zmadhojë organe apo veti që e karakterizojnë një person!

Profeti Muhamed ka më shumë ndjekës se çdo njeri i gjallë.
Nuk bëhesh i madh duke e pikturuar cullak, as duke e fyer.
As duke kujtuar se prapanica është organ i turpshëm!
Dhe nëse kujton se kur do ta shkatërrosh dikë, preke ‘aty’.
Mjerim psikik dhe varfëri e madhe kur kujton se e shkatërron, e shtin nën dhé me një foto cullak, dikë që me shekuj është nën dhé.

Askush nuk arrin asnjë të mirë me fyerje.
Dhe askush kurrë nuk u shkatërrua nga një karikaturë.

Prandaj, Ti si besimtar që je, mos u pikëllo.
Ka kush e mbron Profetin nga e keqja.
Atij as që i nevojitet mbrojtje.
Sepse e kanë mohuar dhe e kanë përqeshur për së gjalli dhe nuk është hakmarr.

Kush ka lexuar nga Ju e dini mirë se si në fillim e përqeshnin Profetin, por ai kishte durim.

Bile një herë kur u sëmurë dhe nuk shkonte dot as në xhami, një komshije që e refuzonte besimin në Zot, tha e pyeti Profetin me përbuzje ‘Hë, ku e ke tash Zotin, pse s’po t’ndihmon’.
Por, Profeti nuk ia ktheu me të keq.

Pra, njerëzit e mëdhenj dhe të zgjedhur, Profetë nuk bëhen pa e mësuar pikë së pari mohimin dhe fyerjen. Profeti e ka kaluar për së gjalli atë ‘flamë’.

Ata që sot ‘e zhveshin’ cullak pa ia parë asnjë fotografi dhe pa e pasur as idenë më të vogël se si është dukur, ata ku me ditë kë e kanë zhveshur.

Askush s’mund të garantoj se karikatura në foto është e Profetit Muhamed. Karikaturisti ka qejf të mendoj se e ka zhveshur Profetin me laps.

Sepse askush s’do ta njihte Profetin edhe po ta kishte para syve.
Muhamed mund të jetë kushdo në karikaturë, përveç Atij që kurrë askush nuk e ka parë si duket.

Misterioziteti e mbron Profetin nga fyerja.
Mund t’ia ‘mohosh’ mësimet, por s’mund të dish kujt po ia mohon.
Për ta bërë karikaturë Profetin Muhamed, do të duhej ta dije si dukej.
E këtë kënaqësi feja islame nuk ia ka dhënë askujt në botë.
Dhe kjo është enigma më e bukur e fesë.

Prandaj, mos u merr me atë karikaturë. Thjesht mos e shiko.
Është e drejt e gjithkujt të jetë ‘i keq’!

Mos e mbroni të zgjedhuri e Zotit nga njeriu i thjesht, se ka kush e mbron Profetin Muhamed!
S’ka nevojë që i shenjti matanë qiejve të mbrohet nga njerëzit e kësaj bote, sepse as që jeton në këtë botë.

Thjesht vazhdo duaje Profetin tënd!
Dashuri të vrazhdtë nuk ka.
Dashuria është vetëmbrojtja më e mirë.

P.S. Nejse, me largu shkencëtarin ‘aksidental’
prej France nuk është ide e keqe.