Mourinho mban premtimin, i përmbush amanetin e babait të vdekur gazetarit maqedonas

Advertisment

Gazetari i pavarur maqedonas, Igor Aleksandrovic, i bëri dje një kërkesë unike gjatë konferencës së shtypit përmes “Zoom”, në prag të ndeshjes Shkëndija e Tetovës-Tottenham. Ai donte të bënte një fotografi me Jose Mourinho, si një “amanet” për babain e ndjerë, në mënyrë që ta zmadhonte, ta fuste në kornizë dhe ta vinte te varri i babait të vdekur. Ky i fundit e kishte idhull trajnerin e Tottenham.

Mourinho, i prekur dukshëm nga historia e Aleksandrovic, ra dakord që fotografia do të bëhej sot dhe Tottenham e ka postuar atë në Twitter. Aleksandrovic e parashtroi kështu kërkesën e veçantë, që iu plotësua një ditë më pas nga “Special One”: “Përshëndetjet e para për ju vijnë nga babai im, por që tani është në parajsë. Në një nga rastet kur ishte shumë i sëmurë më tha që, nëse do të kem ndonjë rast të të shoh, të kërkoj një fotografi me ty, sepse ai gjithmonë të ka pasur iudhull si trajner, në çdo skuadër që ke drejtuar. Ai ka gëzuar dhe vuajtur sit y psikologjikisht, në fitoret dhe humbjet që keni pasur në karrierë. Babai kishte respekt të madh për ju. Nëse më lejoni dua një fotografi me ju, që ta fus në kornizë dhe t’ia vendos në vendin e tij të përjetshëm të prehjes (te varri). Nëse ndeshja shkon mirë për ju dhe ekipin tuaj, a do të më lejoni ta bëjmë foton?”

Reklame

Mourinho iu përgjigj pa hezitim, i përulur dhe gati i përlotur: “Faleminderit shumë. Fotografitë nuk kanë asnjë lidhje me rezultatin e ndeshjes. Fotoja është e premtuar, le ta bëjmë nesër. Nëse mund të na takoni para ndeshjes, ose ndoshta në hotel, është më e lehtë. Nëse mundeni pas ndeshjes, edhe atëherë. Kjo nuk ka asnjë lidhje me rezultatin. Është kënaqësia ime të bëj fotografinë me ty. Është nderimi im për babanë tuaj, respekti për atë, që paska qenë kaq fort i dhënë pas meje”.