“Mrekullia” e tregut të lirë: Si u fituan 406 miliardë dollarë nga miliarderët amerikanë në krizën pandemike

Miliarderët në Shtetet e Bashkuara kanë rritur pasurinë e tyre me më shumë se 406 miliardë dollarë në muajin e fundit, megjithë efektet katastrofike ekonomike të krizës së koronavirusit, tregojnë kërkime të reja.

Instituti për Kërkime Politike, me qendër në Uashington, DC, tha që shifra tregon një rritje gati 14 përqind midis 18 marsit dhe 29 prillit.

Kjo ishte në një kohë kur rreth 30 milion amerikanë ishin pa punë si rezultat i ndikimit financiar të pandemisë së koronavirusit, por edhe kur tregjet e aksioneve u rimëkëmbën si rezultat i paketave të mëdha stimuluese të ndërmarra nga qeveritë në mbarë botën. Midis 18 marsit dhe 29 prillit, indeksi S&P 500 u rrit gati 23 përqind.

Instituti analizoi të dhëna nga Bloomberg dhe Forbes.

Bezos e shfrytëzoi më së shumti krizën

Lista e Forbes për njerëzit më të pasur në botë tregoi se pasuria e miliarderit në SHBA u zvogëlua pak në vit deri në 18 mars, në 2.9 trilion dollarë nga 3.1 trilion dollarë në 2019, pjesërisht për shkak të pandemise. Por në gjashtë javët pasuese ajo u rrit ndjeshëm.

Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, i cili njihet si njeriu më i pasur në botë dhe vlerësohet nga Forbes se pasuritë e tij janë me vlerë 145 miliardë dollarë, rriti pasurinë e tij gjatë pandemisë nga kërkesa për pakicë në internet, njëherësh me punësimin e 75,000 punëtorëve të tjerë.

Që nga fillimi i vitit, pasuritë e tij janë rritur me 32 miliardë dollarë, pavarësisht se ranë në 105 miliardë dollarë gjatë të Enjtes së Zezë më 12 mars, kur tregjet pësuan rënien më të mprehtë që nga viti 1987.

Një ndryshim rekord në pasuri

Miliarderët e tjerë pasuria e të cilëve është rritur pas pandemisë përfshijnë CEO-n e Tesla-s Elon Musk – më i pasur me afro 10 miliardë dollarë që nga 1 janari.

Në të njëjtën kohë, themeluesi i Zoom, Eric Yuan shtoi 3.5 miliardë dollarë në vlerën e tij neto, e cila është rritur në 7.4 miliardë dollarë, falë popullaritetit të softuerit të tij për video-konferenca. Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Microsoft, Steve Ballmer, i ka shtuar më shumë se 4 miliardë dollarë pasurisë së tij.

Në vitin 1990, në Shtetet e Bashkuara kishte 66 miliarderë që fituan gjithsej 118.8 miliardë dollarë. Shtetet e Bashkuara tani kanë 630 miliarderë, pasuria e të cilëve që nga 29 prilli i vitit 2020 arrin afro 3.4 trilion dollarë. /tesheshi