Mungesa e çipave do të jetë një sfidë vitin e ardhshëm

Mungesa globale e çipave gjysmëpërçues do të përbëjë një sfidë të rëndësishme për industri të ndryshme vitin e ardhshëm, sipas sekretares amerikane të Tregtisë, Gina Raimondo.

“Për vitin e ardhshëm si dhe në vazhdim, kjo do të jetë një sfidë e përditshme”, tha Raimondo të hënën në lidhje me mungesën globale të çipave, të cilët janë të nevojshme në sektorë të ndryshëm që nga teknologjia deri në industrinë e automobilave.

Reklame

“Do të bëjmë çmos për të ndihmuar sektorin privat ta kalojë këtë mungesë … dhe me të vërtetë thjesht duke inkurajuar sektorin privat të punojë së bashku dhe të bëjë gjithçka që mundet në mënyrë që të përmbushë krizën afatshkurtër”, i tha ajo kanalit të lajmeve CNBC.

Raimondo tha se Senati Amerikan së shpejti mund të miratojë 52 miliardë dollarë për të siguruar subvencione për prodhimin e çipave amerikanë, që është pjesë e një projektligji më të madh që synon të rrisë konkurrencën e SHBA-së me Kinën.

Mbylljet e fabrikave të çipave për shkak të pandemisë së koronavirusit, konfliktit tregtar SHBA-Kinë dhe thatësirës dhe mungesave të energjisë në Tajvan kanë kontribuar në mungesën e gjysmëpërçuesve, duke ndikuar negativisht në rreth 170 industri të ndryshme në të gjithë botën.