Murtaja

Kur zgjoheshin ata zhyteshin përsëri në botën e murtajës, në rutinën e jetës së përditshme. Kujt i përngjanin këta të vetmuar? Ata i përngjanin askujt! Ose, ata i ngjanin të gjithë njerëzve. Edhe më të mençurit prej tyre mund t’i shihje, tek silleshin si gjithë të tjerët. Ata kishin humbur aftësinë për të zgjedhur. Murtaja i kishte paralizuar mendjet e zgjuara. Kjo dukej krejt qartë kur shihje se asnjëri nuk pyeste më për vlerat e veshjeve që mbajnë, apo për ushqimet që blinin. Ata mund të pranonin fare lehtë çdo gjë që u jepej…
Albert Camus, dy vjet pas përfundimit të LDB e botoi veprën “Murtaja”. Një roman në të cilin epidemia e Vdekjes së Zezë e konsumoi portin algjerian të qytetit Oran. Përveç kuptimit parësor, kjo vepër përcjellë edhe kuptimin dytësor e që ka të bëjë me “murtajën e shekullit” që lidhet me fashizmin si e keqe globale.

“Kanceri” pa fytyrë ishte i freskët në mendjen e tij kur e shkroi këtë libër. Në faqet hyrëse të romanit vërehet se popullsia e qytetit Oran në fillim ishte indiferente ndaj rrezikut dhe më pas histerike për të përfunduar në karantinë, të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Qytetarët ndahen nga miqtë, familja dhe të dashurit e tyre. Nuk kalon shumë kohë, funeralet zëvendësohen me ceremoni të shpejta…Së bashku me vdekjet, qesin krye dhuna dhe grabitjet, që kryhen nga babëzitë e pangopurqë për të përfituar materialisht.

“Murtaja” ka për qëllim të ekspozojë reagimin kolektiv e njerëzor ndaj një situate pesimiste. Për Kamynë, kjo përfshihet në mënyrë pasive duke përshkruar reagimin e njerëzve që nuk kanë më shpresë dhe as rrugëdalje, pa u shtuar atyre asgjë specifike që t’i bëjë francezë apo algjerianë.

Ai përqendrohet në disa personazhe që përfshin një mjek, një burokrat, një kriminel, një prift dhe një gazetar. Secili e shikon epideminë ndryshe. Hajduti e mirëpret karantinën si stehë për të mos u parë nga autoritetet. Prifti prapa sëmundjes sheh Zotin si “ndëshkim”, pikëpamje të cilën e ndryshon, ashtu si zhvillohet ngjarja në roman. Gazetari Ramberti gjendet në vendin dhe kohën e gabuar. I ofrohet mundësia për t’u arratisur, e refuzon atë. Ai përkushtohet për ta luftuar murtajën.

Personazhi përmes të cilit ne e shohim pjesën më të madhe të veprimit është dr.Rieux. Përkushtimi, lodhja dhe dhembshuria nis të shfaqet. Gruaja e tij sëmuret dhe vdes e vetme përtej kufijve të karantinës, por që nuk ka lidhje me murtajën. Edhe pse i përkushtuar në punën e tij dr. Rieux, megjithatë është një njeri që del në fund me njerëzimin e tij të dëmtuar keq.

Në fund, murtaja kalon, dr. Rieux shikon turmën e ngazëllyer në natën kur karantina hiqet pas një viti burgosjeje dhe portat e Oranit më në fund hapen. Ai e kupton se gjithmonë do të jetë një i burgosur i murtajës, duke shtuar se: “murtaja, nuk zhduket dhe nuk vdes asnjëherë përfundimisht. Ajo qëndron e fshehur për dhjetëra vite… tek mobiljet ose rrobat… ajo pret me padurim në dhomat e gjumit, qilaret, tek shamitë, apo letrat e vjetra dhe kur të vijë dita për fatkeqësinë e njerëzimit, murtaja do të ringjallet dhe do të dërgojë minjtë e tij për të mbjellë vdekjen në një qytet që jeton mirë e bukur”.

Albert Camus nëpërmjet kësaj vepre reagon ashpër për pakuptueshmërinë totale të njeriut, sasinë e vuatjeve të shkaktuara në trupat njerëzorë dhe ndjenjat njerëzore. Ai na thotë se: asnjë fe, asnjë ideologji, nuk mund të justifikojë spektaklin e vuajtjeve kolektive që i janë shkaktuar njeriut, përfshi këtu edhe luftërat.

A.Camus në jetën e tij e duroi tuberkulozin dhe nazistët. Dhe ajo që ai na meson është: Jeta, këtu dhe tani, është gjithçka që kemi, gjithçka që dimë, dhe duhet ta mbajmë atë të dashur, duke ndihmuar njëri-tjetrin sa më mirë që mundemi. Fatmirësisht nevoja jonë për shpëtim është po kaq e vërtetë sa ç’ishte, kur protagonisti i Kamysë del në përfundimin se “ka më shumë gjëra tek njerëzit që duhen admiruar, sesa ato që duhen përbuzur”.

“Nëse do të besoja në Zot, nuk duhet ta trajtoja njerëzimin. Nëse do të kisha një ide se njerëzimi mund të shërohej, nuk duhet të besoja në Zot” A. Camus
Binas Pajaziti