Mustafa i jep ultimatium Kurtit, ose bëjmë marrëveshje deri fund të javës ose jo

Advertisment

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë ultimatum Lëvizjes Vetëvendosje, që deri në fund të javës ose ta arrijnë marrëveshjen për koalicion qeverisës ose të konstatojnë se nuk ka kushte për një marrëveshje mes dy subjekteve politike.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

Reklame

“Ne kemi dhënë një propozim që vlerësojmë se është shumë i balancuar që mendojmë se VV duhet ta trajtoj me vëmendje të veçantë dhe mbetemi të hapur që të ulemi të bisedojmë por ajo bisedë të ketë një përfundim me të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, ka theksuar Mustafa.

Me tutje kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se duhet ta kenë parasysh të gjithë se qytetarët i kanë dhënë besimin LDK-së me 28 deputetë, derisa Vetëvendosjes 29.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje, por një marrëveshje që respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Prandaj ne do ta respektojmë këtë dhe mendojmë që marrëveshja duhet të qetë në pah një qeveri të balancuar, me harmoni me atë që qytetarët na kanë dhënë besimin me votën e tyre neve me 28 deputetë dhe VV-së me 29 deputetë”, ka thënë Mustafa, raporton Insajderi.

I pyetur nëse ka qenë në kontakte me liderin e VV-së, Albin Kurti, ai ka thënë se gjatë kësaj kohe kanë qenë gjithmonë në komunikim, porse kurdo që ulen duhet ta bëjnë këtë vetëm për arritjen e marrëveshjes.

“Ne me Kurtin gjatë kësaj periudhe nuk kemi qenë kurrë jashtë komunikimit, në komunikim kemi qenë, por në momentin që ulemi të bëjmë marrëveshje, të përfundojë ajo”, u shpreh Mustafa. /Insajderi