Mustafa nuk do t’i tërheq ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyra

29

Kryetari i Lidhjes demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar se ai nuk do t’i tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje.

Mustafa këtë e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook. Ai ka thënë se pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë, tani mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër.

“Në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, si Kryetar i LDK-së, nuk do ti tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje.

Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate! IM”, ka shkruar Mustafa.

Kujtojmë që, kryeministri në detyrë, Albin Kurti mbrëmë iu hakmor Lidhjes Demokratike të Kosovës menjëherë pas votimit të mocionit për rrëzimin e tij dhe qeverisë që ai drejton, duke e shkarkuar nga pozita e zëvendëkryeministrit Avdullah Hotin.