Muxhahedinët iranian në Shqipëri dhe kush i financon ata (video)

Advertisment

Muxhahedinët iranianë, të cilësuar ndryshe edhe si opozita iraniane në emigrim ndodhen tashmë të strehuar në disa vende të botës ku një pjesë e tyre edhe në Shqipëri.

Por kush janë ata dhe si u strehuan në vendin tonë? Ky grupim, i cili nga regjimi aktual i Iranit njihet si grupim te rrosit, u krijua në vitin 1965 dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish liderin e Iranit Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini. Në këtë situatë ku u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre, ata u larguan nga Irani.

Reklame

Një pjesë emigruan në vendet perëndimore dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”. Pas konfliktit të SHBAve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATOs.

Si lindi ideja për strehimin e një pjese të tyre në Shqipëri?

Pasi ushtria e SHBAve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin e fundit të mandatit të tij si Kryeministër, Sali Berisha ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBAve në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.

Ky hap i qeverisë Berisha u vazhdua edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ai ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës

Brenda pak vitesh, që nga 2013a, me mijëra muxhahedinë erdhën në Shqipëri. Disa prej tyre shprehen se nuk e njihnin fare Shqipërinë, as nuk e dinin që ekzistonte si shtet. Por kur erdhën këtu Shqipëria iu duk si një dhuratë nga Zoti.

“Ishte hera e parë që dëgjoja të flitej për Shqipërinë. Nuk e dija që ekzistonte. U thosha miqve që ishte vendim hyjnor që të vinim në këtë vend”, tregon Damona Tavoni, anëtare e OMPIsë.

Në fillim Muxhahedinët u vendosën në disa godina të vogla në periferi të Tiranës. Në atë kohë u fol shumë për pasojat që do të kishte vendi ynë nga pranimi i muxhahedinëve. Vendimi që mori qeveria Shqiptare konsiderohet si një mbështetje e madhe për aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka pasur zëra që marrëveshja është bërë edhe për përfitime ekonomike nga pala shqiptare. Këtë nuk e vërtetojmë dot, por zonja Gjebrea që në atë kohë ka qenë zv. Ministre e Brendshme, e mohon një gjë të tillë.

“Nuk janë bërë diskutime të përfitimeve ekonomike në lidhje me këtë gjë. Padyshim që ne i kemi aleatë i kemi bashkëpuntorë dhe ka qenë një operacion i mbështetur nga aleati ynë”, tregon Elona Gjebrea, ish  Zv. Ministre e Brendshme

Fillimisht kur u vendosën në Shqipëri muxhahedinët u panë si njerëz të arratisur nga frika e një regjimi të ashpër politik. Ndërsa u futën në disa baraka dhe godina të vjetra ata të krijonin imazhin e refugjatëve që vuajnë për mbijetesë. Por kjo nuk ishte aspak e vërtetë.

Ata kishin një qëllim shumë më të madh se sa të shpëtonin kokën nga rraketat e Iranit. Ata donin të kishin një qytet të tyrin edhe këtu. Të ndërtonin në Shqipëri kampin “Ashraf 3”. Të gjithë u habitën kur qyteti i tyre u ndërtua në vetëm 18 muaj. Dhe ai nuk ishte i vogël, as i rëndomtë. Çdo gjë ishte me standarde të larta, si godinat ashtu edhe hapësirat brenda kampit. Gjëra të tilla nuk ndërtohen nga njerëz që po vuajnë për bukën e gojës.

Muxhahedinët treguan se kanë një potencial të madh ekonomik. Edhe toka mbi të cilën u ndërtua ky kamp u ble me para në dorë nga banorët e fshatit Manzë. E gjithë kjo vepër u bë e mundur nga burimet financiare të vetë organizatës.

Këtu ne vijmë tek një pyetje themelore që shumë njerëz e bëjnë. Ku i gjejnë financat muxhahedinët për të ndërtuar një qytet të tillë? Ne ia drejtuam këtë pyete të drejtëpërdrejtë përfaqësuesit të organizatës në Shqipëri.

“Jemi një lëvizje e pavarur. Kemi qenë gjithnjë të pavarur. Dhe të gjitha problemet financiare zgjidhen nga populli iranian. Është një lëvizje e përhapur gjerësisht. Jo vetëm brenda Iranit, por edhe jashtë. Ekzistojnë në shumë vende.

Në Europë, në SHBA, Kanada, Australi. Edhe brenda në Iran. Paratë tona financohen nga njerëz iranianë brenda Iranit. Sepse njerëzit në Iran kanë shumë besim te muxhahedinët. E dinë që muxhahedinët po lu ftojnë vetëm për lirinë e Iranit”, tregon Mehdi Baraei, përfaqësues i MEKut për Shqipërinë

Pra, paratë vijnë nga mbështetësit dhe populli Iranian.