Myslimanët në SHBA mbështesin Biden-in me 69%

Advertisment

69% e votuesve myslimanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetën kandidatin demokrat për president Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të tre nëntorit, transmeton Insajderi.

Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islame (CAIR), një nga organizatat më të mëdha joqeveritare myslimane në vend që merret me aktivitete mbi të drejtat civile, botoi një hulumtim me titull “Sondazhi dalës i votuesve myslimanë në Zgjedhjet Presidenciale 2020”.

Reklame

Sipas hulumtimit, në zgjedhjet e 59-ta presidenciale, të drejtën e votës e shfrytëzuan më shumë se një milion myslimanë, prej të cilëve 69% për Biden-in, kurse 17% për kandidatin republikan Donald Trump.

Në hulumtim nënvizohet se Trump, i cili mori 13% të votave nga votuesit myslimanë në zgjedhjet e vitit 2016, rriti votat me 4% në këto zgjedhje.

Presidenti i CAIR, Nihad Awad, deklaroi se pjesëmarrja në votime në komunitetin mysliman ishte 84% këtë vit.

“Është pranuar që komuniteti mysliman amerikan ka një vend të rëndësishëm në ndikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale, shtetërore dhe kombëtare në vend”, ka thënë Awad, raporton Anadolu Agency (AA).

Edhe pse 3,45 milionë myslimanë jetojnë në SHBA dhe se ky numër korrespondon me 1.1% të popullsisë e vendit, votat e tyre thuhet të kenë ndikim në zgjedhje pasi shumica e tyre jetojnë në rajonet e quajtura si “shtete të lëkundshme”.

63% e votuesve hebrenj mbështetën Biden-in

Nga ana tjetër, në sondazhin e kryer nga Instituti Izraelit i Demokracisë, është hulumtuar preferenca e votuesve hebrenj, grupit tjetër pakicë në SHBA.

Sipas rezultateve të sondazhit, 63% e votuesve hebrenj votuan për Biden-in dhe 17% për presidentin aktual Trump.

Në një konferencë të mbajtur mbi sondazhin, u theksua se 42% e hebrenjve amerikanë mendojnë se nëse Biden vjen në pushtet, marrëdhëniet SHBA-Izrael do të dobësohen. /Insajderi.com