Nata magjike e 8 majit, pse është e rëndësishme të agjëroni në Natën e Kadrit?

Nata e Kadrit njihet si nata kur Kurani zbriti në tokë. Sipas fesë islame, Nata e Kadrit dhe agjërimi i kësaj dite vlen sa 1000 muaj ose afërsisht 84 vite. E veçanta e kësaj nate qëndron në zbritjen e fjalës së Zotit përmes profetit Muhamed për mbarë njerëzimin.

Sipas fesë islame, agjërimi në Natën e Kadrit konsiderohet i vlefshëm sa një mijë muaj. Sipas klerikëve, agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut gjatë një viti. Mendohet të jenë me mijëra dhe jo vetëm besimtarë myslimanë ata që agjërojnë në Natën e Kadrit, shumë më shumë se ata që agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit. Këtë vit, Nata e Kadrit është nesër, më 8 maj.

Reklame

Nata e Kadrit është një natë e veçantë për të gjithë ata që e kërkojnë atë dhe synojnë të përfitojnë nga mirësitë e saj. Kjo është natë adhurimi, bindjeje ndaj Zotit, namazi, leximi, përkujtimi, lutjesh, sadakeje, punësh të mira etj.

Pse emërtohet Nata e Kadrit?

Kjo natë, në vetvete, ka disa kuptime dhe jo vetëm mirësitë që sjell e mbart ajo. Një ndër kuptimet themelore është që njihet si natë e madhërishme, nisur edhe përcaktimet e mëdha.

Është edhe një natë e begatë dhe me shumë mirësi. Përfitimet e saj janë të shumëfishta. Në këtë natë vendoset fati, begatia dhe mirësitë mbi tokë. Nisur nga kjo natë (8 maji) e deri në të njëjtën natë të vitit të ardhshëm, vendosen çështjet e njeriut mbi tokë. Është një natë që ka më pak vuajtje në të gjithë botën. Është një natë me pozitë të veçantë për mrekullitë dhe mirësitë që përmban.

Paracaktimi është një ndër kuptimet e kësaj nate. Kjo do të thotë që nesër vendoset se ç’do të ndodhë deri në vitin e ardhshëm.

A është e përcaktuar Nata e Kadrit?

Pavarësisht rëndësisë së saj, është i njohur fakti se Nata e Kadrit nuk është saktësisht e përcaktuar. Opinionet e dijetarëve në lidhje me të kanë qenë të shumta, por ekziston një konsensus i përgjithshëm, sipas të cilit Nata e Kadrit gjendet në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe me shumë mundësi në një nga dhjetët netët teke të tij. Shumë besimtarë ndihen të intriguar nga fakti i fshehjes së kësaj nate.

Përse Zoti nuk e ka bërë qartësisht të ditur atë?

Përse ajo është mbajtur e fshehtë dhe besimtarët janë urdhëruar ta kërkojnë atë në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit?

Zoti e ka fshehur atë njësoj siç ka fshehur pranimin e veprave të adhurimit, në mënyrë që të kryejmë sa më shumë prej tyre. Ai e ka fshehur pranimin e lutjeve në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë ato, por të përpiqemi të kryejmë sa më shumë të tilla. Ai e ka fshehur pranimin e pendimit tonë, në mënyrë që ne të jemi gjithnjë në gjendje pendimi. Zoti e ka fshehur prej nesh emrin e Tij më të madh, përmes të cilit është e mundur përmbushja e çdo lutjeje, në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë emrat e tjerë të Tij, por të thellohemi në meditimin e tyre dhe në lutjen e Zotit me to.

Çfarë duhet të bëjë një besimtar Natën e Kadrit?

Një besimtar, Natën e Kadrit falet dhe adhuron, lutet dhe kërkon. Bën sadaka dhe nuk resht së adhuruari këtë natë. Ai adhuron duke shpresuar tek i madhi Zot dhe te falja e tij, atij do t’ia falë Allahu gjynahet dhe kjo është begati e madhe për besimtarin.

Të bëjë sa më shumë dua (lutje).

Të pendohet për mëkatet dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot.

Të shtojë të përmendurit dhe të madhëruarit e Allahut dhe falënderimet.

Të bëjë salavat, përmendje për pejgamberin.

Të japë lëmoshë sa të ketë mundësi.

Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve duarve, këmbëve, syrit, veshit, etj.

Të falë namaz vullnetar dhe namazin e natës më tepër se zakonisht.

Nata e Kadrit është një natë faljeje e shpërblimi, mirësie e begatie, s’ka si të mos vlejë sa njëmijë muaj. Ji falënderues që e arrite edhe këtë vit këtë natë të begatë, Kadër.