NATO i tregon muskujt Rusisë në Baltik

Putin: Armët perëndimore i thyejmë si arrat

NATO i tregon muskujt Rusisë. Duke nisur nga kjo e Dielë, në ujërat e Detit Baltik kanë nisur të zhvillohen stërvitjet e mëdha ushtarake detare 13-ditore, një shenjë që tregon se aleanca veriatlantike është e përgatitur për t’iu kundërpërgjigjur ashpër, çdo kërcënimi nga Rusia nëse konflikti i Ukrainës del jashtë kufijve.

Surprizon përfshirja në stërvitjen “Baltops 22” e Suedisë dhe Finlandës. Ushtritë e këtyre vendeve marrin pjesë me funksione të plota krahas 14 vendeve të tjera të aleancës, edhe pse Stokholmi dhe Helsinki nuk janë anëtare, por aplikuan muajin e kaluar për të qenë pjesë e NATO-s. Pjesëmarrja e tyre është edhe një mesazh i qartë se aleanca nuk pajtohet aspak me veton e Turqisë, ndaj dy vendeve nordike.

Në një intervistë për mediat ruse, presidenti Vladimir Putin tha se dërgimi nga perëndimi në Ukrainë i armëve të sofistikuara me rreze të gjatë veprimi, tregon se synohet përshkallëzimi i konfliktit jashtë këtij vendi. Sipas shefit të Kremlinit, Rusia do t’i thyejë si arra armët armike dhe shembull për këtë është goditja me artileri me rreze të gjatë këtë të Dielë nga Rusia e disa struktura të ushtrisë ukrainase në Kiev.

Tv Klan