Ndërroi jetë ish deputet i legjislaturës së parë të Parlamentit të Maqedonisë

Në moshën 96 vjeçare ka ndërruar jetë Prof. dr. Shukri Rahimi.
Shukri Rahimi ka lindur në Nasalcë të Bujanocit më 1925. Shkollën fillore e kreu në vendlidje, kurse Normalen në Nish. Fakultetin Filologjik – Dega e Historisë e kreu në Shkup më 1960. U doktorua në Fakultetin Filologjik të Prishtinës në janar të vitit 1974 me temën : “LU FTA E SHQIPTARËVE PËR AUTONOMI 1898-1912”.

Prof. dr. Shukri Rahimi së pari punoi si profesor i historisë në Shkollën Normale të Shkupit dhe në SHLP në Shkup. Më 1974 kaloi në Fakultetin Filologjik të Prishtinës si ligjërus i historisë së popujve të Jugosllavisë, ku arriti gradën prof. ordinar i kësaj lënde.

Roli i tij është i pazëvendësueshëm në përgatitjen akademike të disa gjeneratave të historianëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Ka të botuara dhjetëra punime shkencore, kurse prej veprave më të njohura janë: “Lu fta e shqiptarëve për autonomi, 1897-1912”, “Vilajeti i Kosovës më 1878-1912”, “Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare”.

 

Shukri Rahimi ishte deputet i legjislaturës së parë të Parlamentit të Maqedonisë (1990-1994).

Në vitin 2003 u dekorua me Medaljen e artë të Lidhjes së Prizrenit “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Kosovës.

Vepra e Prof.dr. Shukri Rahimi vlerësohet edhe nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, duke e cilësuar lartë figurën e tij, si një prej historianëve më emblematikë që la pas vetes një qasje mjaft të përkushtuar ndaj historiografisë kombëtare.

“Ai la mjaft vepra të rëndësishme, por ajo që e shquan atë në rrafshin e padiskutueshëm të vlerave kërkimore-shkencore është libri “Vilajeti i Kosovës më 1878-1912” , në të cilin janë sintetizuar të gjitha proceset historike me plot kundërshtime në mes të Lëvizjes kombëtare shqiptare dhe administratës Osmane të asaj kohe.

Me shuarjen e prof. Shukriut mbyllet edhe një kapitull i rëndësishëm i shkencave tona albanologjike, por në anën tjetër hapen horizonte të reja që mbi standardet shkencore që ai vendosi të vazhdojë studimi i periudhave e ngjarjeve të ndryshme nga e kaluara jonë”.