Ndryshimet klimaterike/ Vdekjet nga nxehtësia mund të trefishohen deri në vitin 2050

Vdekjet nga nxehtësia mund të trefishohen gjatë dekadave të ardhshme pa veprimet e qeverisë për mbinxehjen në planet, paralajmërojnë ekspertët për ndryshimet klimaterike.

Alarmi vjen në kohën e paralajmërimit të parë të nxehtësisë ekstreme në Mbretërinë e Bashkuar, me nivele rekord kërcënuese për jetën afërsisht 40 gradë Celsius që priten deri në veri të York-ut, sipas BBC.

Rreth 4.6 milionë shtëpi po mbinxehen, sipas një sondazhi të fundit dhe kjo po ndodh vetëm në Angli.

“Ne i kemi thënë qeverisë për më shumë se 10 vjet se nuk jemi aspak të përgatitur në Britani për motin vërtet të nxehtë që po përjetojmë tani”, tha për BBC Baronesha Brown, nënkryetare e Komitetit të Ndryshimeve Klimatike.

Komiteti i Ndryshimeve Klimaterike thotë se janë më shumë se gjysmë milioni shtëpi të reja të rrezikuara nga mbinxehja të ndërtuara në Mbretërinë e Bashkuar që kur e ngriti për herë të parë këtë çështje gati një dekadë më parë.

Ndërsa Met Office i klasifikon valët e të nxehtit si “ngjarje ekstreme të motit”, kërkimet shkencore tregojnë se ndryshimi i klimës po i bën ato më të pranishme.

Valët e të nxehtit shkaktuan 2000 vdekje të tjera në vitin 2020, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.

Shkalla e vërtetë e rrezikut shëndetësor që paraqesin shtëpitë e mbinxehura në Britani është e vështirë të vlerësohet.

Stresi i nxehtësisë përkeqëson sëmundjet si astma, sëmundjet e zemrës dhe sëmundjet mendore.

Simptomat e goditjes nga nxehtësia – duke përfshirë konfuzionin, ngërçet dhe lodhjen – mund të jenë të vështira për t’u dalluar nga kushtet e tjera mjekësore, përfshirë Covid-19-un.

Si rezultat, nxehtësia nuk përmendet gjithmonë si një faktor në shkakun e vdekjes, gjë që e bën të vështirë për mjekët dhe profesionistët mjekësorë të vlerësojnë se sa i madh është në të vërtetë një rrezik për shëndetin.

Baronesha Brown thotë se do të duhen vite që rregullat për mbinxehjen në shtëpitë e reja të kenë ndikim dhe se qeveria duhet të veprojë urgjentisht për të zvogëluar rrezikun në miliona shtëpi ekzistuese.

Riparimi i shtëpive për të reduktuar mbinxehjen mund të jetë shumë i shtrenjtë, paralajmëron profesori Kevin Lomas i Universitetit Loughborough, i cili ka kaluar më shumë se dy dekada duke studiuar mbinxehjen në shtëpitë britanike.

Ai thotë se shumë shtëpi do të kenë nevojë për dritare të reja ose ajër të kondicionuar.

Por ai gjithashtu thotë se masat e thjeshta mund të ofrojnë një ndihmë të menjëhershme, si freskueset elektrike apo mbyllja e dritareve dhe perdeve gjatë nxehtësisë së ditës dhe më pas hapja e tyre gjatë natës për të lejuar ajër më të freskët.

Çdo valë të nxehti që përjetojmë sot është bërë më e nxehtë për shkak të lëndëve djegëse fosile që kemi përdorur, thonë ekspertët.

Dita më e nxehtë e vitit është, mesatarisht, tashmë gati 1 gradë Celsius më e ngrohtë se në vitet 1970, thotë Dr. Vikki Thompson, një shkencëtare klimatike në Institutin Kabot të Mjedisit të Universitetit të Bristolit.