Në aeroportin e Vjenës mund të merrni me qira kabinat për fjetje

Aeroporti i Vjenës ofron një shërbim të ri për pasagjerët – kabinat për fjetje që janë të pajisura me gjithçka që nevojitet për ata që udhëtojnë me aeroplan.

Autoritetet lokale kanë njoftuar se bëhet fjalë për shërbimin që është i qasshëm në Terminalin 3 të aeroportit, e kabinat janë punuar nga start-up italian Zzzleepandgo.

Reklame

Secila prej 16 kabinave Smart Lounges, paraqet hapësirën e përkryer për pushime në vetëm tre metra katrorë. Është theksuar se kabinat kanë shtretër, port USB, Wi-Fi falas si dhe hapësirë për vënien e gjësendeve të ndryshme në tavolinën palosëse.

Përveç kësaj, të gjitha kabinat kanë edhe sistem multimedial përmes të cilit transmetohen filma dhe këngë të ndryshme. Gjithashtu mund të kontrollohet ventilimi, dritat dhe perdet.

“Pasagjerët që qëndrojnë më shumë në aeroport, mund të kalojnë kohën të relaksuar në kabinat moderne për fjetje nga Zzzleepanadg.

Në nivelin e dytë të Terminalit 3, pasagjerët kanë në dispozicion 16 kabinat e mençura. Për përdorimin e tyre, mysafirët regjistrohen drejtpërdrejt në sportelin virtual ku regjistrojnë pasaportën, kartelën e bankës dhe certifikatën e COVID-19. Rezervimet mund të kryhen edhe përmes ueb-faqes.

Gjatë marrjes me qira, përdoruesi mund të hyjë dhe të dalë nga kabina pa pasur kufizime. Kabinat pastrohen dhe dezinfektohen çdo herë pasi lirohen nga përdoruesi.

Përdorimi i tyre kushton 9 euro për një orë, e kabina e gjumit mund të rezervohet edhe për tërë natën (që kushton 48 euro). Pagesat kryhen me tu larguar prej tyre.