Në Ohër do të aterojë një aeroplan nga Milano, aeroporti s’ka kamera termale

Kamera termale me të cilën ndiqet temperatura e pasagjerëve nuk do të vendoset në aeroportin e Ohrit. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe sot paralajmëroi se tani me termometra dixhital pa kontakt do të bëhet kontrollimi i pasagjerëve që do vijnë nga vende të ndryshme në aeroportin e Ohrit. Sonte në këtë aeroport mbërrin një aeroplan nga Milano ku autoritetet italiane në atë rajon kanë shpallur karantinë për 11 qytete dhe ku deri tani kanë vdekur 4 persona dhe janë anuluar shumë evenimente kulturore dhe sportive. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Ohër thonë se rregullisht e ndjekin situatën.

“Nëse ka nevojë ne do ta informojmë personelin mjekësor që punon atje. Ata bëjnë matjen e temperaturës për të gjithë ata që vijnë nga Kina dhe nga vendet ku është regjistruar Virusi Korona. Nëse dikush ka temperaturë të lartë menjëherë informohet Qendra e Shëndetit Publik dhe nga shërbimi i epidemiologjisë menjëherë në terren del epidemiologu rajonal dhe ndërmerr masat dhe aktivitetet sipas algoritmit”-pohoi Jovanka Koroveshoska, epidemiolog.

Reklame

Koroveshoska thotë se deri tani nuk kanë marrë ndonjë informatë për ndonjë rast të dyshimtë që ka kaluar në aeroport. Dy herë në javë, çdo të hënë dhe të premte në Ohër ka linjë direkte nga Milano e Italisë dhe anasjelltas dhe me këtë fluturim më së shumti udhëtojnë qytetarë tonë por edhe turistë nga vende të tjera. Nga agjencitë turistike në Ohër thanë se gjatë ditës së sotme janë anuluar disa prenotime, konkretisht për në Milano të Italisë, ndërsa pjesa më e madhe e udhëtimeve që duhet të realizohen me 8 mars janë ndërprerë dhe nuk përjashtohet mundësia edhe ato të anulohen. Gjithashtu ka pasur anulime edhe në fluturimet e klientëve të tyre nga aeroporti i Tiranës deri në Bolonjë të Italisë./Alsat