Në Pallatin e Kulturës në Tetovë i hapi dyert Panairi i Librit “Tetova 2019”

58

Në Pallatin e Kulturës në Tetovë sot është hapur Panairi i Librit “Tetova 2019” që do të zgjasë deri më 27 tetor. E ftuar në hapjen solemne ishte autorja e shumë librave Elena Kocaqi nga Republika e Shqipërisë, transmeton Portalb.mk.

Ky panair organizohet nga “Shoqata e Botuesve Shqiptar”, prezent ishte edhe kryetari i kësaj shoqate i cili tha se në këtë panair të librit, shtëpitë botuese do të ofrojnë botimet e veta për të gjithë shtresat e lexuesve.

“Në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ju njoftoj se ne botuesit shqiptar në Maqedoni përkunder vështirësive financiare kemi marrë pjesë në panaire brenda dhe jashtë shtetit. Vazhdimisht përpiqemi që së bashku me krijuesit letrar, punonjësit e arsimit dhe i gjithë spektri i njerzive që janë në shërbim të dijes të japim kontribut për zhvillimin e kulturës. Filluam nga qyteti i Kumanovës deri në Strugë”, tha kryetari i Shoqatës të Botuesve Shqiptar, Abdylmexhit Saliu.

Panairi i Librit në Tetovë organizohet që nga viti 2000 e këndej, hapjen e të cilit e kanë bërë personalitete të njohura nga letërsia dhe arsimi si Abdliazis Islami, Rexhep Mejdani, Fadil Sulejmani e shumë tjerë.

Për këtë edicion e ftuar për të bërë hapjen ishte historianja dhe shkrimtarja e shumë librave Elena Kocaqi. Ajo tha se shqiptarët në këto kohë që janë sot kanë nevojë të lexojnë shumë dhe të dinë se kush janë.

“Ky event është shumë i frytshëm, shqiptarët sidomos në këto kushtë që janë sot kanë nevoje të lexojnë shumë, kanë nevojë të dinë se kush janë. Historia është mëma e eksperiencës, shqiptarëve shumë shpesh u janë mohuar shumë të vërteta historike të cilat edhe këtu ku jemi ne sot, të tjerët kanë përfituar politikisht me historira të cilat u janë marrë shqiptarëve dhe u janë përvetësuar nga kombe tjera”, theksoi Elena Kocaqi.