Në pritje të takimit Trump-Erdogan

58

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mezi pret të takohet me Presidentin Donald Trump për t’i dhënë fund krizës së përshkallëzuar pas blerjes nga Ankaraja të raketave S-400 nga Rusia. Takimi i pritur, në periferi të samitit të G20 në Osaka, të Japonisë shihet si shansi i fundit për të shmangur një thyerje në marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s.

“Takimi i presidentëve është një pikë kthese”, tha ish diplomati i lartë turk Aydin Selcen i cili ka shërbyer në Uashington. “Ka një afat kohor, për herë të parë kemi një datë të kryerjes së porosisë deri në fund të korrikut dhe sanksionet nga Uashingtoni janë gati të hyjnë. Ato janë konkrete, janë të gatshme”.

Zoti Erdogan po minimizon kërcënimin e sanksioneve, “Nuk e di çdo të ndodh nëse vendet e NATO-s fillojnë të vendosin sanksione mbi njëri-tjetrin. Nuk kam krijuar këtë përshtypje gjatë kontakteve të mia me Trump-in”, tha zoti Erdogan të mërkurën për gazetarët përpara se të nisej për në Japoni.

Presidenti Erdogan pret që ta zgjidh çështjen me presidentin Trump. “Besoj se takimi im me Presidentin Trump gjatë samitit të G-20 do të jetë i rëndësishëm për eliminimin e ngërçit në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit tonë”, tha Erdogani për gazetën Nikkei Asian Review, në një intervistë të botuar të mërkurën.

Uashingtoni thotë se raketat e avancuara S-400 kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s, veçanërisht avionit e fundit luftarak F-35 të Shteteve të Bashkuara. Ankaraja përballet me përjashtimin nga konsorciumi për ndërtimin e avionëve F-35 që kërkon të blejë nga Shtetet e Bashkuara.

Hapi i parë i sanksioneve amerikane për blerjen nga Turqia të raketave ruse S-400 ishte përjashtimi i pilotëve turq këtë muaj nga trajnimi për avionin e përparuar amerikan F-35.

Presidenti Erdogan po shpreson tek marrëdhëniet e tij me presidentin Trump për t’i dhënë fund ngërçit. “Po, zoti Erdogan thuhet se është një nga udhëheqësit më të preferuar të zotit Trump në botë”, thotë diplomati Selcen, i cili tani është analist rajonal. “Por pastaj në çështje të ndryshme, çfarë thotë zoti Trump në telefon ose bisedime dypalëshe, jo domosdoshmërisht përputhet me atë që ndodh në terren,” shton ai.

Megjithatë, sekretari amerikan i mbrojtjes në detyrë, Mark Esper, paralajmëroi homologun e tij turk, Hulusi Akar, për pasojat e blerjes së raketave S-400.

“Nëse ata pranojnë raketat S-400, ata duhet të pranojnë pasojat jo vetëm për programin e avionëve F-35, por edhe për gjendjen e tyre ekonomike”, tha një zyrtar amerikan duke folur me kusht anonimiteti pas një takimi të ministrave të mbrojtjes në periferi të një takimi të NATO-s në Bruksel.