Në shkurt arrijnë 5850 vaksina anti-Covid! VMRO: Me kaq vaksina mund të vaksinohet vetëm Zlletova (VIDEO)

5850 vaksina kundër virusit korona do të arrijnë në shkurt, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë sipas përllogaritjeve, këto vaksina do të mund t’i marrin vetëm 2925 persona ngase për një qytetar nevojiten dy vaksina që jepen njëra pas tjetrës sipas afatit të paraparë. TV21 pyeti deri në ministri se kush do të jenë të parët që do të vaksinohen me dozat e para të vaksinës, por nga atje pa përgjigje.

“5850 dozat e para të vaksinave të Fajzerit do të mbërrijnë në muajin shkurt, pastaj vijon dërgesa në sasi më të madhe në mars, prill, ndërsa dinamika për gjithë vitin 2021 do të konfirmohet në mënyrë shtesë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Reklame

Për sasinë e vaksinave që do të arrijnë në shkurt reagoi opozitarja VMRO-DPMNE.

“Së pari, informacioni përcillet me një vonesë të patolerueshme, së dyti bëhet fjalë për një numër shumë të vogël të vaksinave. Këto vaksina mjaftojnë që të vaksinohen vetëm Zlletova, e cila numëron më pak se 3000 banorë. Filipçe vazhdon me disa informacione të përgjysmuara se janë në bisedime të drejtëpërdrejta për tu siguruar 800 000 doza për gjithë 2021-shin”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Vaksinat kundër Covid-19 nuk do të jenë të detyrueshme, por sipas disa informacioneve flitet se në nivel të aviokompanive mendohet që të vendoset i ashtuquajturi “ Pasaporti Covid” me të cilin para fluturimit udhëtari do të duhet të japë si dëshmi që është vaksinuar ose e ka tejkaluar virusin. Ndërkohë në vendet fqinje, në Bullgari sot veç më ka arritur kontingjenti i dytë i vaksinave nga Fajzer dhe Biontek, në të cilën ka gjithsej 25 mijë vaksina anticovid, ndërsa 9750 vaksinat e para ishin dorëzuar më 26 dhjetor. Në Serbi sot kanë arritur 19.500 vaksina dhe prej nesër fillon imunizimi i punonjësve shëndetësorë. Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës anticovid, prej të cilave 10.750 doza do të vijnë në javën e tretë të janarit, Greqia do të marrë mbi 25 milion doza të vaksinave brenda muajit janar, ndërsa Kosova planifikon që në muajin shkurt të ketë vaksinat e para anticovid por pa saktësuar se sa doza.