Në vjeshtë do të pastrohet Lumi Shkumbin

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thekson se çdo herë kur vjen koha e pastrimit të mbeturinave, hasen mbeturina të ndryshme dhe duhet që qytetarët të jenë më të vetëdijshëm

Tetovë, 4 shtator – Pritet që këtë periudhë të fillojë pastrimi i lumenjve në rajonin e Tetovës. Pothuajse çdo vjeshtë Qeveria përmes Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ndanë naftë për komunat për pastrimin e lumenjve. Por problemi është se në Lumin Shkumbin gjatë pastrimit hasen lloj-lloj mbeturinash. Këto mbeturina qoftë të amvisërisë apo materiale inerte, hidhen në shumë pjesë të Lumit Shkumbin, edhe atë duke filluar nga pjesa më e lartë rrugës për në Banjën e Tetovës e deri në dalje të qytetit, në pjesën që njihet si Lagjja Dardania. Nga Komuna e Tetovës theksojnë se brenda vitit ndahen mjete për pastrimin e Lumit Shkumbin nga ana e Ministrisë së Ekologjisë..

“Në e kemi pastruar dy herë lumin në fund të qytetit, por si duket ka nevojë sërish të pastrohet dhe ndonjëherë edhe kushtet klimatike nuk lejojnë, por gjithsesi se duhet që të pastrohet. Çdo vit pastrimi i lumenjve bëhet gjatë vjeshtës dhe janë rreth 11 kilometër që duhet të pastrohen. Kjo bëhet çdo vit kur lejojnë kushtet klimatike dhe janë përfshirë lumenjtë në fshatin Poroj, Reçicë të Vogël dhe të Madhe si dhe Lumin Shkumbin”, thotë Bekim Memeti, kryetar i këshillit të Komunës së Tetovës.

Po ashtu përmes rrjedhës së lumit hasen edhe mbeturina nga orenditë shtëpiake, pjesë të automjeteve, si goma, dhe materiale tjera qoftë nga ndërtimet e shtëpive. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thekson se çdo herë kur vjen koha e pastrimit të mbeturinave, hasen mbeturina të ndryshme dhe duhet që qytetarët të jenë më të vetëdijshëm. “Në fillim të çdo vjeshte, Komuna e Tetovës bën pastrimin e shtratit të Lumit Shkumbin dhe jo vetëm, por edhe të lumenjve tjerë më të vegjël. Këtë do ta bëjmë edhe gjatë kësaj vjeshte. Për fat të keq, nga çdo pastrim që bëhet i lumit, nxirren mbeturina të ndryshme. Normalisht, Komuna e Tetovës por edhe institucionet tjera kanë inspektorët të cilët merren me këtë çështje, por nuk ka inspektor që mund ta mbrojnë vendin nga vetja jonë. Prandaj, të gjithë bashkërisht të angazhohemi dhe të kujdesemi për sa i përket pastërtisë së lumenjve tanë dhe vendeve tona”, ka deklaruar kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Ajo ka thënë se kjo gjendje me mbeturinat në këtë lum pritet që të zgjidhet me fillimin e ndërtimit të shtratit, përmes mjeteve që ka ndarë Qeveria nga programi TAV. Këtë vit janë ndarë 24 mijë euro për pastrimin e lumenjve në territorin e Komunës së Tetovës nga ana e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo është bërë e ditur në seancën e fundit të këshillit të Komunës së Tetovës. (koha.mk)