Në Zvicër jetojnë mbi 2 milionë të huaj: Sa prej tyre janë shqiptarë? (foto)

Advertisment

Në vitin 2019, emigracioni në Zvicër ka qenë pa ndonjë ndryshim të theksuar në krahasim me vitin 2018. Me 5 000 veta, edhe bilanci i migracionit ka qenë gjithashtu afërsisht në nivelin e një viti më parë .

Imigracioni i shtetasve të BE është rritur për 1 pikë 3 për qind, ndërsa ai i shtetasve të vendeve të treta është ulur për 1 pikë 8 për qind. Në fund të dhjetorit 2019, në Zvicër jetonin 2 milionë e 111 412 të huaj, thuhet në një komunikatë të Zyrës Federale për Statistikë (BFS).

Reklame

Në fund të dhjetorit 2019, në Zvicër kanë jetuar 2 milionë e 111 412 të huaj në Zvicër. Nga ky numër, 323 683 janë shtetas të Italisë, 309 388 nga Gjermania, 262 926 nga Portugalia, 139 646 nga Franca dhe 113 800 nga Kosova. Një vit më parë, numri i shtetasve të Kosovës në Zvicër kishte qenë 113 mijë e 482 ose 5 pikë 4 për qind e numrit të huajve, shkruan albinfo.ch.

Po këtë përqindje, sipas Zyrës Federale për Statistikë kosovarët e arrijnë edhe në fund të vitit 2019. Rritja e numrit të shtetasve të Kosovës gjatë një viti rezulton të ketë qenë për gjithsej rreth 300 veta.

Statistika e përmendur thotë se në fund të vitit 2019 në Zvicër jetonin mbi 67 mijë shtetas të Maqedonisë, që përbënin 3 pikë 2 për qind të të gjithë të huajve. Siç dihet, shumica e madhe e tyre janë me etni shqiptare. Por, ashtu si dhe në rastin e shtetasve të Kosovës, statistikat zyrtare të Zvicrës nuk i referohen etnisë por përkatësisë shtetërore.