Nëndetësja turke parkohet në Durrës

Në brigjet shqiptare për herë të parë është ankoruar nëndetësja turke “TCG Çanakkale”. Autoriteti Portual i Durrësit përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë me dije se nëndetësja turke ka mbërritur në port më 9 mars.

Ndër të tjera mësohet se vizita treditore e nëndetëses turke vjen në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve mbi shkëmbimin e eksperiencës së përbashkët ndërmjet flotës shqiptare dhe asaj turke.

“Të martën në molin 4 të Portit të Durrësit është ankoruar nëndetësja turke “TCG Canakkala”, e cila ndalet për herë të parë vendin tonë .

Vizita 3 ditore e saj, vjen në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve, mbi shkëmbimin e eksperiencës së përbashkët ndërmjet flotës shqiptare dhe asaj turke” njofton Autoriteti Portual i Durrësit.

 

Ndërkohë sipas të dhënave nga zyra e atasheut ushtarak pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, nëndetësja është 62 metra e gjatë, peshon 1.400 tonë dhe ekuipazhi i saj përbehet nga 53 detarë.