Nesër në Maqedoni fillon vaksinimi

Vaksinimi kundër Kovid-19 në vend fillon nesër, edhe atë së pari me vaksinimin e punonjësve shëndetësorë nga Klinika Infektive në Shkup. Autoritetet konfirmuan se përgatitjet për vaksinimin masiv janë duke u zhvilluar, ndërsa deri në fund të muajit priten edhe vaksinat kineze.

Vaksinimi do të fillojë nesër/e mërkurë në ora 10, në spitalin modular të Klinikës për sëmundje infektive dhe gjendje febrile.

Ministria e Shëndetësisë kumtoi se pika në spitalin modular ku ka gjashtë pozicione vaksinimi, do të funksionojë në dy turne nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 20 e mbrëmjes, ndërsa vaksinimin do ta kryejnë ekipet mjekësore nga Qendra shëndetësore Shkup.
Sipas planit të përcaktuar, oraret për vaksinim do të jenë në 10 minuta.

Sistemi kombëtar dërgoi lista në të gjitha qendrat kovid gjatë ditës së djeshme, ku janë theksuar emrat e punonjësve shëndetësorë që duan të vaksinohen, me orë dhe ditë të saktë kur duhet të vijnë për të marrë vaksinën në spitalin modular të Klinikës infektive në Shkup. Qendrat kovid duhet t’i konfirmojnë përsëri listat.

Deri më tani janë paraqitur 4000 punonjës shëndetësorë për vaksinim, prej tyre rreth 2000 janë në qytetin e Shkupit, ndërsa të tjerët në qytetet tjera.

Çdo punonjës shëndetësor, që do të marrë vaksinën menjëherë do t’i sigurohet doza e dytë për rivaksinim.

Vaksinimi i parë do të kryhet me 4680 doza të vaksinave nga prodhuesi “Fajzer”, të dhuruara nga Serbia. Me këtë dërgesë të vaksinave, imunizimi do të kryhet vetëm në spitalin modular të Shkupit. Me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave në vend, vaksinat do të shpërndahen në qendrat e tjera shëndetësore në vend ku vaksinimi do të kryhet në pikat ekzistuese të vaksinimit.

Siç paralajmëroi dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, vaksinimi do të zhvillohet në tre faza në pajtim me Planin e konfirmuar nacional për imunizim të popullatës.

Në fazën e pare, është paraparë të vaksinohen punonjësit shëndetësorë të cilët janë në linjën e parë të përgjigjes në kushte spitalore me rrezik të lartë dhe shumë të lartë të marrjes dhe bartjes së infektimit.
Në këtë faze është paraparë të vaksinohen edhe personat më të moshuar me rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundje, komplikime dhe vd ekje, të definuar me rrezik në bazë të moshës dhe persona më të moshuar se 70 vjeç.
Autoritetet kompetente paralajmëruan se deri në fund të muajit shkurt pritet të mbërrijnë vaksinat kineze.