Nesër vazhdon seanca për zgjedhjen e qeverisë së re, votimi deri në mesnatë

Advertisment

Deputetët e përbërjes së re parlamentare pasditen e sotme dhanë qëndrimet e tyre “për” dhe “kundër” zgjedhjes së qeverisë së re të mandatarit Zoran Zaev, pasi ai në ekspozenë e tij foli për prioritetet e përbërjes së tij qeveritare.

Nga vazhdimi i seancës pas pauzës së dytë, të cilën e shpalli kryeparlamentari Talat Xhaferi, mandatari Zoran Zaev duke replikuar ndaj deputetit Borisllav Kërmov nga “E Majta” theksoi se me qëndrimet që paraqiti në pjesën e ekonomisë, në fakt ai nuk di pse ata si parti mbeten në opozitë.

Reklame

“Nuk e di pse mbeteni në opozitë. Sipas meje me një diskutim të tillë kemi një mundësi të mirë për bashkëpunim, pasi vlerat për të cilat flisni i hasim në konceptin një shoqëri për të gjithë”, ka thënë Zaevi si përgjigje ndaj Kërmovit i cili tha se ata si “E Majtë” në Kuvend ndaj të gjithë deputetëve pa dallim të përkatësisë etnike do t’u drejtohen nga pozita e dallimeve klasore në shoqëri.

Kërmov tha se “E Majta” është parti e vetme e majtiste në Kuvend, ndërsa është përqendruar në ekonomi në pjesën e programit qeveritar që siç tha, “është pika boshte e qytetarëve”.

“Në programin hiqni dorë nga tatimi progresiv, pra parashihni proces inkulziv të bisedimeve dhe konsensus për vendosjen e tatimit progresiv. Është qesharake të pritet që kapitali i madh në mënyrë vetëinkluzive të bie dakord të tatimohet. Nëse doni ta tatimoni kapitalin e madh duhet të mblidhet guxim dhe ta shfrytëzoni aparatin shtetërorë”, ka thënë Kërmov.

Zaevi në replikën e tij ka thënë se për 300 për qind është rritur ndihma sociale. Ka theksuar se kanë filluar me tatimin progresiv, por kanë parë se shteti humb dhe kanë pranuar publikisht se duhet të finalizohet koncepti dhe më tej me konsensus ku marrin pjesë edhe Sindikatat dhe punëtorët që të sillet zgjidhje e duhur.

“Përfundimisht kemi dallim të madh mes shtresave ekonomike në shoqëri, përfundimisht duhet të punojmë t’i ulim këto dallime ekonomike”, ka thënë tutje Zaev por ka shtuar se nuk duhet harruar rritja e pagës minimale prej 9.000 në 14.500 denarë, rritja e pagës mesatare, rrija e pagës së mjekëve, profesorëve, punëtorëve kulturor, të punësuarit në kopshte.

Ivan Jordanov nga VMRO-DPMNE këtë përbërje qeveritare e ka krahasuar me anijen e Titanikut pasi siç tha, “vetë ju na keni bindur se kjo qeveri do të zgjas shumë, keni qëllime të mëdha dhe pritshmëri si edhe anija e famshme e cila ishte bërë për pritshmëri të mëdha dhe ishte llogaritur si e pa fundosur”. “Por duke parë partitë nga shumica qeveritare më pak ose më shumë më ngjasojnë si ato shtresat e larta të kësaj anije të famshme”, ka thënë Jordanov.

Para deputetëve fjalim ka pasur edhe Goran Misovski nga PRSD i cili ka kërkuar nga opozita qëndrim zyrtar për ndryshimin e emrit kushtetues dhe asaj nëse VMRO-DPMNE e mbështet rrugën drejt Evropës dhe NATO-s ose do të vazhdojë me politikën e cila nuk është e natyrshme për shek. 21.

Ka replikuar deputeti Halil Snopçe nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i cili vuri re se në gjashtë minutat e fjalimit është fokusuar në sukseset në skenën ndërkombëtare, diçka që edhe ata e pranojnë. Por, ka përmendur se përveç në rrafsh ndërkombëtar, reforma tjera thelbësore sipas tij nuk janë bërë.

Seanca parlamentare për zgjedhjen e qeverisë do të vazhdojë nesër në ora 12, ndërsa për përbërjen e re qeveritare deputetët duhet të votojnë deri në mesnatë.