Nga 3 janari 2022 në Kosovë mund të hyjnë vetëm ata që kanë dy doza kundër COVID-19

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot masat e reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në bazë të vendimit të Qeverisë, mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes nga ora 00:00 deri në orën 05:00 dhe kufizimi i orarit të punës së gastronomisë nga ora 05:00 deri në orën 23:00.

Reklame

Qeveria ka ndryshuar disa nga rregullat për ata që hyjnë në Kosovë, ku nga 3 janari 2022 në Kosovë do të mund të hyjnë vetëm ata që kanë dy doza të vaksinimit, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, në vendimin e Qeverisë thuhet se mysafirët në restorante dhe lokale duhet të posedojnë dëshminë për vaksinën anti-COVID.

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative dhe ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

Pavarësisht numrit të personave, do të vazhdojë ndalimi i veprimtarisë së klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

/Telegrafi/