Nga bashkëqeverisja me Gruevskin tek përçarja e PDSH-së, ja çfarë thotë Menduh Thaçi

Kryetari i PDSH Menduh Thaçi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” foli për një sërë çështjesh të rëndësishme politike në Maqedoninë e Veriut.

Thaçi tha se Marrëveshja e Prespës ishte një gjë e mirë për vendin, duke shtuar se atë e dakordësoi së pari SHBA-ja, ndërsa rol kishte edhe ish kryeministri Zaev e shqiptarët.

Reklame

“Kontributi kryesor për marrëveshjen e Prespës e ka ish kryeministri, por edhe SHBA-të dhe e treta janë shqiptarët. Kjo ishte shumë mirë se unë që herët e kam thënë se kjo gjë duhej. Maqedonia e Veriut ka dy popuj brenda vetes, ka probleme. Por mendoj se është krijuar një terren pozitiv drejt nacionales së shqiptarëve të ecet më shpejt.

Akademia e Maqedonisë së Veriut ka përhapur thashetheme sikur ne shqiptarët duam ta ndajmë këtë shtet, por kjo nuk qëndron e anëtarësimi në NATO i dha fund këtyre zërave. Unë do mundohem që të drejtat e shqiptarëve të ecin përpara. Unë kam qenë me Nikola Gruevskin në pushtet e Maqedonia e Veriut tashmë është më mirë. Beteja jonë është lufta e përditshme për të dëshmuar se ne nuk jemi pakicë e nuk i nënshtrohemi normativave ndërkombëtare të pakicës. Dëshirojmë më shumë për shqiptarët”, tha Thaçi.

I pyetur në lidhje me qeverisjen që PDSH ka pasur me ish kryeministrin e ikur nga vendi pas problemeve me drejtësinë Nikola Gruevskin, Thaçi u shpreh se partia e tij ka qëndruar për pak kohë në koalicion në atë kohë.

Ai shtoi se më pas PDSH doli nga koalicioni me Gruevskin, me të cilin ishte në bashkë-qeverisje për 9 vjet Ali Ahmeti.

“Jam penduar që kam qeverisur me Gruevskin. Unë kam dalë nga ai pushtet dhe Ali Ahmeti ka qëndruar 9 vjet në pushtet kot. Ne kemi ruajtur identitetin nacional të shqiptarëve. Në takim me Pendarovskin nuk kam qenë dhe i kam thënë mos të më thirrë më në këtë format. Ne e kemi si format që në Maqedoninë e Veriut duhet të jenë 2 parti maqedonase e 2 shqiptare. Ata ishin 2 maqedonas e ne ishim shumë liderë. E thashë se maqedonasve iu leverdis të na shikojnë të ndarë. Kjo është simbolika e vendim-marrjes sime”, deklaroi Thaçi.

Menduh Thaçi tha se është e vërtetë se nga PDSH kanë ikur disa figura politike, duke thënë se ata dolën me më shumë deputetë, për shkak se shkuan në zgjedhje si koalicion e jo të vetëm.

“Të ikurit kanë qenë në koalicion tre parti. Ne kemi qenë vetë. Jam dakord që të thirren të tjerë. Edhe BESA kishte koalicion. Ne jemi këta që jemi. Prej partisë sonë dalë disa forca politike, që kanë dështuar. Institucionet e caktuara të Maqedonisë Veriore përdorin metoda të caktuara që të mund të dobësojnë si parti PDSH, sepse e shohin si parti nacionaliste, ndërsa ne e quajmë nacionale. Mendoj se duhet që duhet të kemi gjithmonë dy forca politike, njëra në pushtet e tjetra në opozitë”, u shpreh Thaçi.

Po ashtu, Thaçi përmendi edhe rastet e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, duke u shprehur se kanë qenë të shumta edhe vdekjet nga virusi.

“Ka shumë të vdekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Unë mendoj se nuk ia kemi dalë të përballemi me krizën e virusit. Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndoshta fatkeqësisht do i rriten numrat. mendoj se për 2-3 ditë do të kalojmë në normalitet. Qytetarët duhet të kenë kujdes. Duhet mbajtur distancë sociale dhe po ashtu pastërti duhet”, vlerësoi Thaçi.