Nga mesi i qershorit hapen kufijtë në disa vende të Evropës

Austria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria planifikojnë të hapin kufijtë bashkërisht nga mesi i qershorit, kumtoi sot shefi i diplomacisë austriake, Aleksander Shalenberg.

“Ne u pajtuam që ta kalojmë këtë rrugë së bashku dhe ta marrim me vete edhe Hungarinë”, tha ai në video-konferencën me kolegët nga Republika Çeke dhe Sllovakia, Tomas Petriçek dhe Ivan Korçok.

Reklame

Vendimi për hapjen e kufijve mund të merret që nga java e ardhshme, ndërsa më pas do të përcaktohet një datë specifike, tha Shallenberg në deklaratë për agjencinë APA.

Ai tha se për momentin është duke u punuar intensivisht në atë që nga mesi i qershorit të vendoset liria e plotë e udhëtimit me Çekinë, Sllovakinë dhe Hungarinë siç ishte edhe para pandemisë së koronavirusit të ri.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se është e rëndësishme që të merren masa në bazë të parametrave të qartë të shëndetit, lëvizshmërisë dhe sigurisë.

Shallenberg paralajmëroi se në ditët e ardhshme do të realizohet një tjetër video-konferencë, në të cilën do të marrë pjesë edhe homologu hungarez Piter Sijarto.