Nipi i familjes Lala që u shua nga tërmeti tregon se çfarë i tha 17 vjeçari që i mbijetoi tr agjedisë (VIDEO)

67

Ende nuk kishte zbardhur e marta e 26 nëntorit, kur Indrit Markja, nipi i familjes Lala, të cilës tërmeti shkatërrimtar iu mori jetën 8 pjesëtarëve të saj, u zgjua nga një telefonatë. Një zë nga Shqipëria, i tha se shtëpia trekatëshe e dajave të tij në ish Kënetë ishte shkatërruar nga lëkundjet dhe nëntë të afërmit e tij kishin mbetur nën rrënoja. “Na erdhi një telefonatë dhe na tha se shtëpia e nënës është shembur. Kam dëgjuar mamin duke qarë. Jam ngritur dhe direkt jam nisur për në Aeroportin e Romës, për të ardhur për këtej”, -tha Indriti.

#

Mes lotësh, Indriti, i rritur në Itali, rrëfen tmerrin që përjetoi kur u gjend pranë banesës së shkatërruar. “Është e paimagjinueshme, nuk ka shpjegim, duke e ditur çfarë kishte aty brenda, ishin kalamajtë e dajës, daja, nëna, dhe goca e dajës.”, -pohoi ai.

Shtatë ditë më vonë nga e marta e kobshme, nipi i familjes thotë se ata kanë humbur shumë, por fakti që tragjedisë i mbijetoi Rama, djali i njërit prej dajave, është një dritë shprese për ta. Ai na rrëfen takimin me 17-vjeçarin në spitalin e Traumës dhe arsyet përse e shmangte bisedën më te, për çfarë kishte përjetuar adoleshenti nën rrënoja. “Ai është i terrorizuar, sepse edhe kur vajta unë në Tiranë kur e takova po binte akoma tërmet. Ai thoshte ‘tërmet, largohuni, largohuni’. I thoja që ‘po e lëviz unë krevatin’, ai më thoshte ‘mos e prek as ti atë krevat’. Është shumë i terrorizuar, ndaj e çuam në Itali.”, tha Indriti.

Por a shpresoi Indriti se veç Ramës, mund t’ja dilnin dhe të tjerët të mbijetonin? “Shpresën e kam pas gjithmonë. Në momentin që humba avionin, po shikoja live lajmet, duke pritur. Edhe pse zemra më thoshte se është e vështirë, por shpresa kam patur. Edhe kur erdha këtu bashkëpunova me zjarrfikëset italiane, duke ditur projektimin e shtëpisë”, rrëfen Indriti.

Pas tragjedisë, pjesëtarët e familjes dibrane janë strehuar në banesat sociale në Shkozë, por nipi I tyre thotë se po mendojnë ti tërheqin ata drejt Italisë, të paktën Albertin, dajën që humbi të gjithë familjen. “Që ditën e parë që kam ardhur I kam qëndruar afër dajës. Se me të jam rritur, ai ka qenë në Itali, rrinte me ma. Jam shumë I lidhur me të. Që do të ndërtojë shtëpi tjetër këtu, nuk e besoj, është e pamundur. Sigurisht që do ta marr, nuk do ta lëmë vetëm, sepse ai ka nevojë për ne”, theksoi nipi i familjes Lala.

Nga vila trekatëshe e familjes Lala, nuk ka mbetur më asgjë. Në rrënoja gjen këpucët dhe djepin e Dionisit, kukullat e motrës binjake, Dionisës, librat e Emilios dhe Amelas, rrobat e Marjetës. Nëna bashkë me 4 fëmijët nuk mbijetoi dot, sikurse fatkeqësisht nuk ja dolën as nëna e familjes Sahadetja, i biri iliri dhe mbesa Grisilda.

Video: