Një ditë në jetën e Doktor Omer Xhemalit

Advertisment

Faqja e internetit e qytetit të Cyrihut, stadt-zuerich.ch, portretin e radhës të qytetarëve të merituar të metropolit zviceran ia ka kushtuar mjekut të shquar shqiptar, Prof. Dr. Omer Xhemalit.

Profesori nga Tetova është një personalitet i nderuar në Cyrih e në Zvicër. Ai është drejtues i kirurgjisë kardiake në Spitalin Triemli të qytetit të Cyrihut. Ndër bashkatdhetarët e vet ai njihet si shqiptari i parë që ka bërë transplantim të Zemrës. albinfo.ch ka bërë disa herë prezantimin e tij para lexuesve shqiptarë, tek të cilët gëzon respekt të madh.

Reklame

Dr. Xhemali, para se të vinte para rreth dhjetë vitesh në Zvicër, ka jetuar dhe është arsimuar në Gjermani.

Në vazhdim, dita e punës e dr. Omerit, sipas portalit stadt-zuerich.ch.

Puna e prof. Xhemalit është gjithçka tjetër pos një pune rutinë, nga ora 08 deri në orën 15. Ai është mjeku kryesor në Klinikën e Kirurgjisë Kardiake Triemli të Cyrihut dhe është shumë i apasionuar pas profesionit të tij, transmeton albinfo.ch. Por çfarë bën një kirurg kardiak gjatë gjithë ditës?

Operime në zemër të hapur, kjo është e sigurt. Megjithatë, Prof. Xhemali do t’ju tregojë se për çfarë bëhet fjalë. Ai ju merr me vete për 24 orë dhe ju tregon se si duket një ditë normale në jetën e tij – rrëfim nga afër dhe i pa filtruar.

“Ora ime e alarmit kumbon në orën 5:30 të mëngjesit, çdo ditë, ashtu si dhe sot. Nuk është një zile e bezdisshme, por një muzikë e butë nga iPhone, për një zgjim të këndshëm. Unë jam njeri i mëngjeseve. Menjëherë pasi ngrihem, vesh rrobat sportive dhe shkoj për të vrapuar për nja 30 minuta. Ndërsa vrapoj, zhytem në mendime të lira dhe përgatitem në mënyrë optimale për ditën e ardhshme të punës. Më duhet vetëm një dush i shkurtër, në mënyrë që të nisem për në Triemli, më së voni, në orën 6.30 të mëngjesit. Kështu ndihem “fit”.

 

Pasi të kem ardhur në punë, e shijoj një kafe, të ëmbëlsuar me një lugë mjaltë. Bëj detyra administrative, shikoj postën elektronike që më pret dhe axhendën e përditshme, si dhe mbahem i informuar me lajmet nga NZZ dhe Tages Anzeiger. Përjashtimisht, asistentja ime, Manuela Knuchel, nuk ka caktouar ndonjë takim të hershëm për mua në orën 6:30 të mëngjesit dhe nata në repart ishte e qetë, përcjell albinfo.ch rrëfimin e dr. Xhemalit. Nuk kishte raste urgjente. Emergjencat prishin disi axhendën ditore, por puna balancohet përsëri gjatë ditës.

Nga ora 7.40 deri në 8 të mëngjesit do të drejtoj raportimin e hershëm me ekipin tim të kirurgjisë kardiake. Ne diskutojmë për ngjarjet që kanë ndodhur një ditë para dhe gjatë natës si dhe për rastet e tanishme të pacientëve të rinj. Të gjithë qëndrojmë shumë mirë me njëri tjetrin dhe kjo është arsyeja pse bisedat e shkurtra me kolegët e punës nuk bën të mungojnë.

Tani vizitoj pacientët në njësinë e kujdesit intensiv, ku takoj kolegët e mi nga disiplinat e tjera. Këtu ne punojmë në mënyrë interdisplinare, transmeton albinfo.ch. Zhvillohen diskutime të ndryshme specialistike dhe merren vendime të rëndësishme për të garantuar terapinë më të mirë për pacientët tanë.

Unë operoj si i vetëm, të paktën një herë në ditë – kryesisht në mëngjes, gjë që po ndodh edhe sot. Në program është një operacion bajpasi. Kështu, bëj rrugën time drejt dhomës së operacionit, në vendin ku ndihem më i qetë. Këtu mund të riprodhoj ato që kam mësuar dhe të bart përvojën e viteve. Kjo gjë shkon në favor të pacientëve të mi, por edhe në favor të mjekëve të mi ndihmës, të cilëve ua mësoj zanatin e kirurgjisë kardiake nga e para.

Operacioni kaloi mirë dhe pa komplikime. Kthehem në zyrën time, ku shijoj një pushim të shkurtër me kafenë time të preferuar dhe konsumoj ndonjë gjë të vogël. Fatkeqësisht, rrallë kam kohë të mjaftueshme për drekë, përcjell albinfo.ch rrëfimin e mjekut shqiptar. Për fat të mirë, unë gjithmonë mund të shijoj nga çokollatat e sekretareshave të mia. Ato jo vetëm që kanë kontroll të plotë mbi detyrat administrative, por gjithmonë kujdesen edhe për mirëqenien time – një falënderim i madh nga këtu për zonjat e dashura.
Është ora 13 dhe fillon këshillimi i parë me një pacient. Para se pacienti të ulet fare, unë e ndiej qartë frikën e tij nga operacioni. Qëllimi im kryesor i kësaj bisede është t`ia heq këtë frikë dhe ai të largohet nga klinika me një ndjenjë të mirë. Së pari ne po njihemi. Vetëm kur është ndërtuar një bazë e caktuar e besimit, atëherë mund të flasim për operacionin e ardhshëm, përcjell albinfo.ch. Duke përdorur skica dhe shembuj të ndryshëm, i tregoj atij hapat e caktuar të operacionit.

Unë sqaroj arsyen pse duhet të veprojmë ashtu, flasim për komplikime dhe rreziqe të mundshme, si dhe për procesin e përgjithshëm, përfshirë kujdesin përkatës (rehabilitimin). Pacienti shtron pyetje, të cilave natyrisht u përgjigjem të gjithave. Ndiej se besimi i tij tek unë po rritet dhe frika nga operacioni po zvogëlohet.

Ndahem nga pacienti dhe bëj rrugën për në raportin e klinikës, ku diskutojmë për të gjithë pacientët që do të operohen ditën tjetër, si dhe situatën aktuale në repart – përfshirë pacientët që janë operuar një ditë më parë.

Në mbrëmje gjithmonë punoj derisa të mbarojnë punët. Unë rrallë shikoj orën. Sot është ora 19.30 dhe si veprimin e fundit, vizitoj pacientët e mi në njësinë e kujdesit intensiv, si dhe në repart. Buzëqeshja e një pacienti të kënaqur pas një trajtimi të suksesshëm është e paçmueshme. Janë këto momente që më japin një motiv të madh për të ndjekur këtë punë me shumë pasion çdo ditë, thotë dr. Xhemali, përcjell albinfo.ch. Vetëm kur e di se pacientëve të mi po u përmirësohet gjendja, mund ta lë vendin tim të punës me ndjenjë pozitive.

Pas kësaj, zhvilloj takime në mbrëmje, ku mbaj rrjetin tim profesional, diskutoj për studime ose kam referime në një atmosferë të relaksuar. Kështu ishte edhe sot. Në orën 20.30 të mbrëmjes shkoj për një takim në restorantin Schützengasse. Shpesh kthehem në shtëpi vonë. Por gjithnjë sigurohem që të shkoj në shtrat rreth orës 23 të natës në mënyrë që të jem i shlodhur ditën tjetër.

Edhe pse lodhja pothuajse nuk më lejon, unë ende lexoj librin tim për nja 10 minuta, para se të fle. Kjo më ndihmon të kaloj në mendime tjera dhe të çkyqem. Tani jam duke lexuar romanin “1984” nga George Orwell, thotë Xhemali, transmeton albinfo.ch. Ndryshe, e rekomandoj shumë këtë libër, sepse kjo është hera e katërt që po e lexoj.


Në kohën e pakët të lirë që kam, më pëlqen të shkoj në fitnes. Jam gjithashtu një hobi-rinovues i pasionuar, kështu që, për shembull, i kam rregulluar vetë shkallët që shihni në foto. Unë shpesh bëj shëtitje malore gjatë fundjavave. Çdo shëtitje e tillë në Zvicër ka veçantinë e saj.

Rruga ime e preferuar është ajo për në Buochserhorn në kantonin e Nidwalden-it. Ajo të mahnit me pamjen e saj të bujshme drejt Liqenit të Luzernit dhe majave nga Oberbaustock… Me pak fat, ju nga këtu mund ta shihni edhe majen Monch, në distancë.
Por gjëja ime e preferuar është të kaloj kohën me familjen në kopshtin tonë, ku bëjmë së bashku zgarë, zhvillojmë biseda emocionuese, ndonjëherë debatojmë ose thjesht, shijojmë qetësinë, përcjell albinfo.ch.

Kjo sepse në shtëpi unë thjesht mund të jem bashkëshort dhe baba që zakonisht nuk është aspak emocionues për fëmijët tashmë të rritur.