Një foshnjë 4 muajsh dhe një katër vjeçar, ndër pacientët me Covid-19 në Tetovë

Nëntë raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit në Tetovë e rrethinë kanë çuar në gjithsej 300 numrin e të prekurve. Në këtë rajon ka 33 vatra të infeksionit, përfshirë një vatër të re në Komunën e Zhelinës.

3 nga rastet e reja janë pikërisht në këtë komunë, ndërsa 6 në qytetin e Tetovës. Nga Qendra për Shëndet Publik bëjnë të ditur se pacientët më të rinj me Covid-19 janë një foshnje 4 muajshe dhe një 4 vjeçar.

Reklame

“Ditëve të fundit dominon mosha më e re. Ka një numër të caktuar nga zero deri nëntë vjeç, ndërsa pjesa tjetër më e madhe janë të moshës 30-40 vjeç. Shumica e rasteve të reja janë asimptomatike”, deklaroi Naim Skenderi, Qendra e Shëndetit Publik Tetovë.

Numri i të infektuarve rritet edhe në qytetin e Gostivarit ku numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur në 51. Nga shtabi i krizës i tre komunave, Gostivar, Mavrovë dhe Vrapçisht, apelojnë respektim maksimal të rekomandimeve.

“Të gjitha institucionet që patëm mbledhje sot konstatuam se duhet të vazhdohet me respektimin e protokolleve dhe rekomandimeve sepse punohet për shëndetin publik dhe gjithë kemi përgjegjësi pa përjashtim”, tha Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.

Pas komunës së Tetovës, si vatra të infektimit, edhe më tej mbeten komuna e Tearcës me mbi 30 persona dhe komuna e Bogovinës me mbi 60 të prekur. Në Pollog, gjithsej në izolim janë 580 persona, 83 nga të cilët janë të rinj, 16 në Tetovë dhe 67 në Gostivar.

Bashkim Sulejmani