Një mjeke e një infermeriere të parat në Maqedoni morën vaksinat antiCOVID, ja si ndjehen?

E vaksinuara Dobrinka Naunova Jovanovska, mjeke në Klinikën Infektive dhe Gjendje Febrile ka treguar përvojën e saj me vaksinimin. Ajo ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid nga kompania Pfizer, ndërkaq dozën e dytë do ta marrë pas 21 ditësh, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të gjithë të vaksinohen.

“Unë e pranova vaksinën, ndihem mirë. Vetë aplikimi i vaksinës nuk shkakton dhembje dhe mund t’u rekomandoj, që secili prej nesh që është në këtë shtet, kur tashmë e kemi vaksinën, ta pranojnë atë, me zgjedhje vetanake. Cili të dojë Pfizer, cili ndonjë lloj tjetër të vaksinës. Megjithatë, kjo është mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga ky lloj i infeksionit”, tha mjekja Naunova Jovanovska, transmeton TV21. Ajo ka sqaruar se imuniteti ndaj Covid-19 do të fitohet dy deri në tre javë pasi ta pranojë edhe dozën e dytë. “Imuniteti arrihet pas dy deri tre javë. Deri atëherë do të duhej të formohen antitrupat mbrojtës. Kjo është çështje individuale, megjithatë arrihet imunitet”, tha Naunova Jovanovska.

Edhe e vaksinuara e parë, motër kryesore në Klinikën Infektive, Gabriella Temellkovska, ka deklaruar se ndjehet shkëlqyeshëm dhe ka bërë thirrje të vaksinohen edhe të tjerët.(INA)