Një ndeshje për t’u harruar, Shqipëria mposhtet në shtëpi nga Lituania

Një ndeshje për t’u harruar për Shqipërinë. Kuqezinjtë e Edi Rejës janë mposhtur 0-1 në stadiumin “Air Albania” nga Lituania.

Pjesa e parë përfundoi me shifrat 0-0 me Lituaninë, që u shfaq më e fortë fizikisht dhe më e organizuar duke rrezikuar dy herë portën. “Gardiani” kuqezi Thomas Strakosha ishte vendimtar me dy pritjet e tij.

Reklame

Pjesa e dytë nisi me skuadrën tonë pak më agresive, por sërish të paqartë. Goli i lituanezve erdhi në minutën e 51’ nga Kazlauskas pas një gabimi amatoresk të mbrojtjes së Shqipërisë. Gjasula ktheu topin gabimisht prapa duke i shërbyer si asist kundërshtarit, që pasi dribloi Strakoshën dërgoi topin me lehtësi në rrjetë.

Pas ndëshkimit, Reja aktivizoi Roshin e Uzunin, që i japin një ritëm më të lartë skuadrës dhe krijojnë pak më shumë rrezik, me fierakun, që i lë vendin Brojës prej një dëmtimi.

Rasti më i mirë për kombëtaren shqiptare ishte një goditje dënimi e Manajt, që goditi fuqishëm portën por u ndal nga portieri kundërshtar.

Ndeshja u mbyll në mënyrën më të keqe për Shqipërinë që luajti për disa minuta me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të kapitenit Elseid Hysaj. Pas kësaj ndeshjeje, të katër skuadrat ndajnë nga 3 pikë në grup dhe pritet të jetë një garë e vështirë për kreun.