Një pjesë metalike nga Kullat Binjake arrin në Kosovë

Një ceremoni e veçantë është zhvilluar sot në Fushë Kosovë. Aty nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, erdhi një pjesë metalike nga Kullat Binjake dhe është përcjellë për në Pejë, ku edhe do të vendoset në memorialin që i dedikohet viktimave të 11 shtatorit në New York.

Ambasadës Amerikane në Kosovë këtë pjesë metalike ia dhuroi Departamenti i Zjarrfikësve të New York-ut dhe bartja për në Kosovë u realizua sipas praktikave në SHBA, ku transporti i metalit nga vendi i mbërritjes deri tek destinacioni final u përcoll nga policia, ushtria, zjarrfikësit dhe motoristat.

Përvesh nëpër SHBA e deri tek Aeroporti, një ceremoni e tillë me polici, ushtrinë amerikane, zjarrfikësit dhe motoristat, sot nisi edhe nga Fushë Kosovë deri në Pejë, aty ku nesër do të zhvillohet ceremonia zyrtare e zbulimit të memorialit në kujtim të viktimave të 11 shtatorit në New York.

Kryetari i Rotary Club Peja, Arbër Asllani tregoi për projektin që përfshin një pjesë metalike nga Kullat Binjake të ditës tragjike të 11 shtatori 2001.

“Përfshinë një pjesë metalike nga Kullat Binjake të ditës tragjike të 11 shtatori 2001. Memoriali dhe të gjitha këto si ide janë iniciuar nga Nehat Devolli ka gjetur përkrahje nga kryetari i komunës, nga komuna e Pejës dhe bizneset e ndryshme në Pejë”, tha ai.

Sulmet e 11 shtatorit janë një seri sulmesh të koordinuara terroriste kundrejt SHBA-ve, objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në New York.