Njeriu i “Fjalës”: vota muslimane si përcaktuese në Kosovë, a i duhet dhënë Albin Kurtit?

Advertisment

Gëzim Kelmendi, një ish-deputet luftarak i parlamentit të Kosovës, gjithsesi gjithëherë etik dhe larg incidenteve apo veprimeve anarkike, drejton partinë Fjala, e cila, pa ndonjë kamuflim, ka një frymë fetare në vizion politikëbërës.

Si musliman, Gëzim Kelmendi, një stomatolog me profesion, tenton të përbashkëjë elementin musliman në kauzat politike, një gjë e lehtë në dukje por e vështirë në realitet.

Reklame

Kritik ndaj VV-së dhe Albin Kurtit, ai nuk është dakort që bashkëbesimtarë të tij të molepsen pas kësaj figure e forcës së tij politike.

Për këtë, ai rendit dhe arsyet pse.

E nga ana tjetër, pranon se faktori musliman është sot përcaktues në zgjedhjet e Kosovës.

Kelmendi, si janë pritshmëritë tuaja për zgjedhjet e pritshme: a do arrini të futeni në parlament?

Ne jemi optmistë që këto zgjedhje do të arrijmë të jemi pjesë e parlamentit të Kosovës.

Zgjedhjet e 14 shkurtit ofrojnë sinjale, së paku nga ajo që ndihet në ajër, se Vetëvendosje do jetë fituese, ose ndryshe dyshja Kurti-Osmani. Por ju jeni kritik i kësaj forcë, apo më saktë i Kurtit. Përse?

Arsyet pse jam kritik ndaj Kurtit janë të shumta. Edhe gjatë kohës sa ka qenë Kurti si pjesë e opozitës edhe si kryeministër, nuk ka qenë parimor. I ka shkelur pothuajse të gjitha parimet, si: kundërshtimi i pakos së Ahtisarit, bashkimi kombëtar, bisedimet me Serbinë, produktet nga Serbia, ka nxitur përçarje brenda shumicës shqiptare në Kosovë, pastaj prej fillimit e ka mohuar shtetësinë e Kosovës, i ka injoruar simbolet shtetërore të Kosovës. Pastaj rruga që ai ka zgjedhur të vijë në pushtet është jo e mirë dhe jo e shëndoshë: duke fyer, sharë, shpifur, duke djegur institucionet, duke dhunuar rininë dhe policinë e Kosovës, duke manipuluar me besimtarët muslimanë.

VV-ja në krye me Kurtin në vitin 2011 lëshuan seancën parlamentare kur u votuan amandamentet për lejimin e mbulesës dhe për futjen e edukatës fetare në shkolla, me 2013 kërkuan ndëshkimin e Hoxhë Irfan Salihut (i cili kishte folur kundër amoralitetit), me 2014 votuan kundër ezanit, pastaj i shpërblyen islamofobët më të njohur me pozita të larta shtetërore, heshtën ndaj ambasadorit Gashi në Francë i cili kishte fyer shembulltyrën e muslimanëve Pejgamberin a.s.s, heshtën ndaj sulmeve dhe kundërshtimeve për fillimin e ndërtimit të Xhamisë qëndrore në Prishtinë, heshtën për djegien e xhamisë në Drenas, ndërsa “vajtuan” për rrënimin e Teatrit në Tiranë.

Për 50 ditë sa ishte në pushtet, Albin Kurti hoqi taksën 100% ndaj produkteve nga Serbia, ia dha epitetin Serbisë si “shtet humanitar” duke ia pranuar 1 mijë teste për COVID-19, i “çkapi” bordet për t’i “kapur” pastaj me militantë të vet, shpërbleu islamofobët më të mëdhenj me pozita të zv. ministrave, ndryshoi shumë udhëzime administrative, por nuk e ndryshoi UA që ndalon mbulesën, hapi idenë e daljes së Serbisë në detin Adriatik përmes Kosovës, u dorëzua përballë përgjegjësive shtetërore duke i ikur takimit në Washington.

VV-ishte e vetmja parti politike e cila reagoi ashpër dhe e kundërshtoi deklaratën e ish-presidentit të SHBA-ve Donald Trump i cili tha se Kosova është një shtet musliman.

Partia Fjala, siç dhe ju, përfaqësoni një target-grup të fortë shoqëror në Kosovë, anëtarë të komunitetit musliman. A mendoni se në fitoret e deritanishme të VV – Shpend Ahmeti si kryetar i Prishtinës vite më parë – si dhe në të fundit zgjedhje të përgjithshme, vota muslimane ka qenë përcaktuese?

Vota e besimtarëve muslimanë në Kosovë për vite me rradhë ka qenë përcaktuese për shumë rezultate zgjedhore, përfshi edhe fitoren e Shpend Ahmetit por edhe të VV-së, edhe PDK-së dhe të tjerëve.

Pse ka një yshtje të elementit musliman karshi Kurtit – nëse e pranoni se kjo ekziston? Dhe nëse biem dakort që ekziston, ka diçka iluzore në këtë, në kuptim të një qasjeje të gabuar?

Është evidente mbështetja e besimtarëve muslimanë ndaj Kurtit. Për këtë mendoj se janë disa arsye: gabimet dhe dështimet e pushteteve të kaluara, pastaj kurreshtja për të ia dhënë mundësinë Kurtit që ky të jetë pushteti kryesor në Kosovë.

Ajo që mendoj unë që është qasje e gabuar është fakti që besimtarët muslimanë po e mbështesin verbërisht Kurtin me arsyetimin që ta provojnë edhe atë, ndërsa në anën tjetër po e shkelin partinë FJALA e cila për dy legjislatura në parlamentin e Kosovës përmes kryetarit të saj Gëzim Kelmendit ka mbrojtur parimet islame dhe të drejtat e besimtarëve muslimanë. Unë mendoj që është gabim me votu në emër të të provuarit dhe në anën tjetër me shkelë të dëshmuarin.

Prapa të të provuarit (Albin Kurtit) qëndron një parti e madhe si VV-ja, ndërsa prapa të dëshmuarit (Gëzim Kelmendit) qëndron një parti e vogël si FJALA.

Neve Feja Islame na mëson që ta mbështesim të drejtin dhe jo të madhin.

Realisht, a është sot vota muslimane përcaktuese në Kosovë?

Po, është shumë përcaktuese. Fuqia e saj ka qenë evidente në zgjedhjet e vitit 2010, 2014, 2017, 2019.

Ditë më parë, dikush në rrjete argumentoi se, sipas një konteksti fetar përballë atij politik në Kosovë, vota çdo muslimani, për të qenë le të themi hallall, duhej të shkonte për ty, më saktë për Fjalën. Thjesht u përkëdhel kjo gjë, apo realisht duhet të jetë kështu, ndonëse modestia mund të jetë pengesë për ta pohuar?

Ashtu është. Neve Feja Islame na mëson për çdo sferë të jetës. Edhe në sferën e politikës ne duhet të veprojmë sipas mësimeve islame. Nëse kështu veprojmë, kurrë nuk do të zhgënjehemi. Ne duhet të jetojmë, dhe veprojmë në emër të ZOTIT, duhet të votojmë në emër të ZOTIT dhe jo në emër të inateve, egos apo interesave përsonale.

Sot, forcat kryesore në Kosovë kanë të pranishëm elementin musliman brenda tyre, deri në nivele të larta përfaqësimi. Ç’ka të mirë kjo (nëse ka) dhe ç’ka jo të mirë (edhe këty nëse ka)?

Është e vërtetë se forcat kryesore politike në Kosovë kanë besimtarë muslimanë brenda tyre, por që 10 vite e më shumë është dëshhmuar se këto forca politike kanë shfrytëzuar besimtarët muslimanë duke mbledhur vota në emër të tyre, ndërsa në anën tjetër nuk e kanë realizuar asnjë pikë të vetme që do ta ndalonte diskriminimin e muslimanëve në Kosovë si në shkollim dhe punësim.

Si e shihni qëndrimin e kastës klerikale muslimanë (hoxhallarë) përballë sfidave politike komunitare? Duken të stepur ndoshta dhe a duhet të jenë më aktivë në direktiva dhe analiza vote?

Hoxhallarët e Kosovës janë qytetarë të Kosovës, ata kanë të drejtë edhe ta mbështesin edhe ta votojnë kënd ta dëshirojnë. Politikbërja kosovare për 20 vite pasluftës nuk ka qenë korrekte me hoxhallarët, në një moment të caktuar edhe i ka arrestuar disa hoxhallarë si në vitin 2014 vetëm e vetëm pse disa hoxhallarë nuk e kishin mbështetur PDK-në, por kishin mbështetur një subjekt tjetër politik.

Nëse do kishit një kritikë, apo dhe një këshillë ndaj komunitetit ku ji bëni pjesë lidhur me pjekurinë e qasjes politike, cila do ishte ajo?

Këshilla ime është që të veprojmë dhe jetojmë ashtu si na mëson Feja Islame, të votojmë ashtu si na mëson Feja Islame, ta praktikojmë Islamin si sistem të jetës dhe jo të veprojmë sipas inateve, interesave dhe egos tonë përsonale.

Duke iu referuar faktit se dhe Profeti ka bërë politikë e diplomaci bashkë në kontekstin e kohës që jetoi, duke bërë pakte e lidhur marrëveshje në funksion të vizionit të së nesërmes, a jeni dhe ju i gatshëm të bëni diçka të tillë me forcat kryesore politike në Kosovë? Dhe nëse po, me atë urtësinë që vjen nga aftësia nuhatëse, më afër kujt ndiheni?

Ne po jetojmë në një sistem ku ndryshimet janë shumë të lehta, pa patur nevojë që të kemi marrëveshje apo koalicion me ndonjë forcë politike. Te ne çdo gjë është e mundur, vetëm a dëshirojmë. Do të thotë se shumë lehtë e kemi, shkojmë te kutia e votimit dhe votojmë në emër të ZOTIT. Pra nuk kemi të bëjmë “a mundemi apo nuk mundemi”, por kemi të bëjmë me “a dëshirojmë apo nuk dëshirojmë”.

Si e shihni politikën shqiptare nga Kosova, çka ajo të mangët apo superiore karshi asaj të Prishtinës?

Politika shqiptare i ka disa përparësi në raport me politikën kosovare. Përderisa politika shqiptare është më e vendosur dhe krenare në realizimin e synimeve të saja, politika kosovare është në tërësi e nënshtruar përballë kërkesave të Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

A beson Gëzim Kelmendi se ka rrugë të gjatë për të bërë me Fjalën e tij dhe cili është destinacioni?

Po, unë besoj që kemi të bëjmë një rrugë të gjatë me FJALËN, por unë besoj fuqishëm se një ditë me lejën e ZOTIT do të ngadhnjejmë, ngase kemi qëllimin e pastër, rrugën e drejtë dhe vendosmërinë. Përveç kësaj FJALA i ka qëndruar besnike parimeve të qytetarëve të Kosovës, ka mbrojtur interesin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. FJALA nuk është ndotur me ujërat e korrupsionit, krimit të organizuar dhe padrejtësisë. /tesheshi.com/