NP Tetova do të merr kredi prej 26 milion denarësh, ja ku do të harxhohen mjetet

Advertisment

Për shkak se NP “Tetova” muajve të fundit vazhdimisht punon në humbje, me kredi bankare do të përpiqen të paguajnë punonjësit të cilët para disa ditëve edhe protestuan sepse nuk kishin marrë pagë për disa muaj me radhë. Kredia e cila do të merret nga kjo ndërmarrje kap shifrën e 26 milion denarëve dhe e njëjta u votua dje nga Këshilli Komunal i Komunës së Tetovës, njofton Portalb.mk.

Në seancën e 34 të Këshillit të Komunës së Tetovës në mes të tjerash u diskutua edhe për punën në humbje të NP “Tetova”, me këtë edhe u vendos që kjo ndërmarrje të marr kredi prej 26 milion denarëve në mënyrë që të paguajë kontributet e punonjësve.

Reklame

E fajin për këtë, drejtori i kësaj ndërmarrje ia adreson pandemisë me virusin korona, gjegjësisht qytetarëve të cilët për shkak të krizës me pandeminë nuk kanë qenë në gjendje të paguajnë faturat e shërbimeve komunale.

“Për shkak të pandemisë qytetarët nuk kanë paguar shërbimet, dhe kështu ne jemi në humbje. Nga ana tjetër, punonjësit e ndërmarrjes gjatë periudhës nga muaji mars deri në shtator kanë mbledhur mbeturina dhe kanë dezinfektuar qytetin, kur qyteti ishte i sulmuar nga virusi korona, ndërsa tani nuk kanë mundësi themelore për sigurim shëndetësorë” tha Xhelal Ceka, drejtor i NP “Tetova”.

Ai tha se 15 milion denarë janë të nevojshme për pagat e punonjësve ndërkaq pjesa e ngelur për të mbuluar kostot e derivateve të naftës, energjisë elektrike dhe pagesës në deponinë Drisla ku edhe shkojnë mbeturina e Tetovës.

“I kemi të nevojshme 26 milion duke e ditur se askush me siguri nuk mund të thotë se a do të rritet numri i qytetarëve që do të paguajnë në tetor dhe cila do të jetë situata me virusin korona në nëntor, dhjetor e tutje. Ndërkaq, ne për shkak të mos pagesës së tatimeve për shkak të situatës dhe vendimete të Qeverisë, nuk kemi të drejtë të forcojmë njerëzit të paguajnë” shtoi Xhelal Ceka.

Këto fjalë u pranuan nga shumica e këshilltarëve komunal me çka edhe votuan për marrjen e kredisë nga ana e NP “Tetova” në krye me drejtorin Xhelal Ceka, në mënyrë që të stabilizohet situata financiare e kësaj ndërmarrje që aktualisht nuk është e mirë.