Nuk dua të bëhem i pasur! Siriani me 3 diploma në Shqipëri tregon ëndrrën e tij (VIDEO)

Një sirian 24-vjeçar ka treguar për “Top Channel” historinë e tij plot vuajtje, pasi iu desh të largohej nga Siria.

Abdel Lotfi, ndodhet në vendin tonë prej 20 ditësh dhe thotë se për të mbërritur në Shqipëri iu desh të vinte në këmbë.

Reklame

Ai thotë se dëshiron që një ditë ta shohë vetën si mekanik makinash në Gjermani, aty ku ka jetuar 6 vite më parë.

“Diplomat e mia janë në Siri. Kam tre diploma për të qenë një mekanik makinash. Rruga ime tashmë është Gjermania. Dua të shkoj përsëri atje, isha në Gjermani 6 vite më parë, u ktheva në Siri për të bërë dokumentat që të isha person i ligjshëm. Në Siri tani është luftë dhe ju e dini mirë se si është atje. Mu deshën 6 muaj që të vij nga Siria në Shqipëri. 3 muaj kam qëndruar në burg, më arrestua kur ika në Greqi dhe më kthyen përsëri në Turqi”.

Sa i përket krizës së emigrantëve që po refuzohen të hyjnë në Greqi, Abdel thotë se pamjet kanë tronditur opinion publik. Sipas Abdelit kjo sjellje nuk është njerëzore. Ai kërkon ndihmë për popullin tij, i cili po kërkon t’i shpëtojë plumbave të luftës.

“Greqia e ka mbyllur kufirin për sirianët. Nuk më pëlqen t’i shoh këto foto. Ne jemi vetëm njerëz. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Më vjen shumë keq kur shoh pamje te tilla ”

Dëshira e tij më madhe është të jetojë në paqe.

“Unë kam ëndrra normale, dua të kem një shtëpi timen dhe të jetoj aty bashkë më gruan dhe fëmijët. Kjo është ëndrra ime. Nuk dua të bëhem i pasur. “