Nuk ka koronavirus tek mjekët e kthyer nga Madridi

Dy mjekët që u testuan për koronavirusin rezultojnë negativ. Edhe pse ata nuk kishin simptoma të virusit testimi u krye për shkak të pjesëmarrjes së tyre në një kongres në Madrid, ku njëri nga ligjëruesit ka qenë i prekur nga korona.

Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë është theksuar se edhe përkundër rezultatit negativ dy mjekët do të jenë në izolim dyjavor në shtëpi. Ndërkohë negative rezultojnë edhe testet e kryera ndaj dy personave të tjerë, njëri shtetas kinez dhe tjetri shtetas i Maqedonisë së Veriut-student i ardhur nga Italia.

Reklame

Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi se gjendja shëndetësore e gruas me koronavirus po përmirësohet. Ndërkohë edhe pse sot pritej furnizimi i shkollave me mjete dezinfektuese, Filipçe thotë kjo do të ndodhë brenda javës.

Sot hapen ofertat, pas evoluimit, gjatë ditës së nesërme do të merret vendimi dhe do nënshkruhen marrëveshjet. Menjëherë pas asaj vijon distribuimi. Për një ditë do merret vendimi, nesër dmth dhe menjëherë sipas mundësisë së operatorit ekonomik, kontaktet që do i sigurojmë me pushtetin lokal atëherë do veprojmë. Besoj se do jetë deri në fund të javës megjithatë ta shohim nesër dhe ta dimë më preciz”-tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Gjatë fundjavës në Maqedoni kanë arritur rreth 10 autobusë me udhëtarë në kalimin kufitar Tabanoc si dhe disa aeroplanë me pasagjerë në dy aeroportet e vendit, ku të gjithë udhëtarët janë intervistuar dhe për asnjërin deri më tash nuk ka dyshime për prezencën e virusit. Numri i të vdekurve në korniza botërore ka tejkaluar 3,000 ndërsa i të prekurve vetëm në Kinë është më shumë se 88,000 ndërsa në pjesën tjetër të globit më shumë se 7,000. Në rajonin e Evropës deri më tash numri i të prekurve ka shkuar në mbi 2000.