OBSH: Nuk do të arrijmë imunitet kolektiv në 2021

Imuniteti kolektiv kundër COVID-19 nuk do të arrihet këtë vit, megjithëse vaksinat kanë filluar të shpërndahen në shumë vende, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Ne nuk do të arrijmë imunitet kolektiv në 2021”, tha zyrtarja shkencore e OBSH-së, Soumya Swaminathan, gjatë një konferencë në Gjenevë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të zbatimit të masave mbrojtëse, si distancimi fizik, larja e duarve dhe mbajtja e maskës, për të kontrolluar pandeminë.

Reklame

Ajo vlerësoi përparimin e pabesueshëm të bërë nga shkencëtarët, të cilët kanë arritur të krijojnë disa vaksina, të sigurta dhe efikase kundër COVID-19 në më pak se një vit, por theksoi se shpërndarja e tyre kërkon kohë.

“Duhet kohë për të prodhuar doza në një shkallë të gjerë, jo vetëm miliona, por miliarda”, shtoi ajo, duke bërë thirrje për durim.

Swaminathan siguroi se vaksinat do të mbërrijnë në të gjitha vendet, por, ndërkohë, nuk duhet harruar se ka masa që funksionojnë.

Sipas saj, do të jetë e nevojshme të vazhdojmë të marrim masa shëndetësore dhe sociale për të kufizuar transmetimin e virusit, të paktën deri në fund të këtij viti.