Ora policore, qytetarët: Ky është paralajmërim për ditë të këqija

Rritja e numrit të të infektuarve nga varianti i ri i virusit korona riktheu orën policore në gjithë vendin që nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit. Kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve është masë e shtuar sipas rekomandimit të Komisionit për Sëmundje Infektive, të cilët vlerësuan se grupimet e pakontrolluara të qytetarëve kanë shtuar rastet me Covid-19.

Por, nga ana tjetër qytetarë thonë se kjo masë nuk do të ketë efekt, meqë objektet gastronomike punojnë deri ora 21:00. Ata druajnë se masat do të shtohen.

Në Kumanovë si në qytetet tjera as radhë të gjata para bankave apo marketeve, as ngarkesë në trafik. Më të moshuarit fajin ua lënë të rinjve për përhapjen e infeksionit të virusit korona.

“Po është e nevojshme ora policore, por duhet më herët të nis e jo nga ora 10. Ajo është vonë nuk ka asnjë efekt. Duhet të zbatohet më herët sepse kafenetë janë të mbushura plot, të rinjtë atje shkojnë”.

 

“Jo jo asgjë më tepër nuk kemi blerë, sepse njerëzit nuk kanë punuar për të kursyer. Kur ishte ora policore nuk kemi pasur punë dhe prandaj nuk kemi aq mjaftueshëm për të mbajtur rezerva”.

“Jo be vëlla nuk është në rregull, unë jam nga fshati Mateç, por ama nuk është në rregull! Tash edhe Ramazani do të na shkoj mbyllur ku s’mund të falim as teravijat”.

Edhe tregtarët shprehin indinjatën se ka rënë interesimi i qytetarëve për të blerë gjëra ushqimore si më parë. Disa thonë se ora policore do të rikthen frikën e lëvizjes së lirë edhe kur nuk është një ndalesë e tillë. Kjo situatë me pandeminë është duke u përkeqësuar sipas tyre ka reflektuar në shitjen me pakicë.

“Po dikush del nëpër dyqane e markete, dikush vjen në treg për të blerë zarzavate, por puna ka rënë shumë. Njerëzit po kanë frikë, nuk guxojnë të vijnë për të blerë nga frika e pandemisë!”.

“Mendoj se skenari i njëjtë është duke u përsëritur sikur vjet! Në kohën e njëjtë paniku është shfaqur edhe tek njerëzit si në gjithë Maqedoninë e sidomos në Kumanovë. Vet tregu i gjelbër është një fotografi që tregon se punë s’ka, ka rënë menjëherë shitja. Vet ora policore ka frikësuar njerëzit”.

“Përderisa po rikthehet ora policore kumanovarët e kanë marrë shtruar, nuk e kanë me nxitim si herën e parë për të blerë gjërat ushqimore apo për të kryer shërbimet e tyre të përditshme. Siç po shihet në këtë ditë me shi, gjithçka është e zakonshme në Kumanovë”.

Vjet zbatimi i orës policore gjatë valës së pranverës ishte shumë më i gjatë dhe me mbyllje të plotë gjatë fundjavave, gjë e cila shkaktoi shumë pakënaqësi tek qytetarët. Kjo masë nuk u rikthye në valën e vjeshtës kur shifrat e të diagnostikuarve pozitiv dhe të vdekurve nga CoVid-19 arritën kulmin. Nëse pritet të ketë shtrëngime eventuale të masave pas dy javësh apo heqje të plotë të masave, autoritetet shëndetësore thonë se kjo varet nga situata epidemiologjike në vend.

Adnan Qaili