Osmani: Shkoni në xhami, mos shkoni në xhami

Advertisment

Hapja e xhamive nën masa mbrojtëse ka nisur pas një sërë polemikash në opinion ku është përfshirë edhe politika, pavarësisht se drejtuesit e tyre në vazhdimësi kanë thënë se nuk përzihen në punët e brendshme dhe vendimet autonome të bashkësive fetare. Predikimet fetare për shkak të përhapjes së virusit korona u ndërprenë më 17 mars, ndërsa njoftimi u bë i ditur nga kreu i saj Sulejman Rexhepi në prani të zëvendëskryeministrit Bujar Osmani. Bashkësitë fetare kanë respektuar masat, me përjashtim të Pashkëve kur pati manifestime nga grupe njerëzish ndërsa gjendja kulmoi më 7 maj pas manifestimit kishtar në Strugë, që shërbeu edhe si pretekst i ri për nxitje nëpër rrjetet sociale dhe forcim të kërkesës për hapjen e xhamive. Në mesin e tyre ishte edhe vetë Bujar Osmani, protagonisti i mëhershëm që mori merita se ndikoi në vendimin e BFI-së për mbylljen e xhamive. Por, në qëndrimin e tij, pas ngjarjeve në Strugë, vetë Osmani tha se pas asaj që ndodhi me manifestimin në fjalë, nuk ka më kuptim asnjë masë… duke lënë hapësirë interpretimi për mos respektim të masave nga ana e BFI-së. Po ashtu, vetëm disa ditë më vonë, në një intervistë për TV24 Osmani tha se ka qenë i shqetësuar nga rivaliteti i mundshëm që mund të prodhonte ky rast.

Në Qytetin ku vdekshmëria nga virusi është 20% e numrit të infektuarve, kjo është papërgjegjshmëri e nivelit më të lartë. Tani më asnjë masë nuk ka kuptim. Përgjegjësi do ketë! – deklaroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër.

Reklame

Mua më së shumti më ka frikësuar nëse do të fillonte rivaliteti mes bashkësive, por edhe një rivalitet tjetër mes atyre që duan që objektet fetare të punojnë dhe atyre që nuk duan… – tha Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër (11.05.2020 për TV24)“.

Një ditë pas ngjarjeve në Strugë, Osmani kishte dalë me njoftimin në Facebook se xhamitë do të hapen nën masa mbrojtëse.

U dakorduam që meqë kanë vendosur, hapja nga java tjetër të bëhet me masa mbrojtëse të cilat gjatë fundjavës do t’i përgatisim bashkë me epidemiologët dhe përfaqësuesit e BFI-së, me qëllim ruajtjen e shëndetit të besimtarëve gjatë kryerjes së obligimeve fetare – shkroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër, (facebook 08.05.2020).

Me këtë retorikë, Osmani veç argumentonte sërish qëndrimin e tij në favor të hapjes së xhamive. Si përforcim i kësaj, më 10 maj ai vizitoi vetë Strugën, ku u takua me përfaqësuesit fetarë prej nga, sërish doli me njoftimin për hapjen e xhamive. Por, jo më larg se mbrëmë, ai sërish ndërroi qëndrim duke inkurajuar besimtarët që të mos shkojnë në xhami, por ritet t’i kryejnë në shtëpi.

Unë jam i inkurajuar nga ajo që biseduam se mund të gjejmë mënyrë se si të krijojmë një normalitet të ri ku edhe nuk do t’ua mohojmë të drejtën besimtarëve që të rikthejnë kontaktin me fenë dhe të kryejnë besimet e tyre fetare… – theksoi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër (10.05.2020 në Strugë).

Unë do t’i inkurajoj njerëzit të mos shkojnë, për shkak se deri sa nuk jemi të sigurt se gjendja është e përmirësuar që të mund të hyjë në fazën e dytë….dhe ajo që mund të kryhet në shtëpi, të bëhet në shtëpi… – u shpreh Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër (11.05.2020 për TV24).